Protesta e studentëve, Tabaku: Problemet vijnë nga ligji i Arsimit të Lartë

49

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku fajëson ligjin për arsimin e Arsimit të Lartë si shkaktarin kryesor të problemeve që lidhen me arsimin e që sipas saj, kanë nxjerrë edhe studentët në protestë.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se “tre vjet më parë në Kuvend u përplasën dy grupe, qeveria e sotme bashkë me hartuesit realë të ligjit të Arsimit të Lartë dhe opozita që luftoi në krah të studentëve dhe pedagogëve”.

“Asaj kohe, ministrja Nikolla, zotohej se nuk ka tarifa të larta. Por ja ku jemi sot. Tarifat rriten për vit, universitetet publike rrënohen. Studentët dhe pedagogët ndëshkohen me një ligj jo funksional dhe antikushtetues”, shtoi ajo.

Më tej, deputetja e PD-së Tabaku shton se e keqja që ka kapluar sot universitetet nis nga ky ligj dhe nga Reforma.

Sipas Tabakut, zgjidhja është abrogimi i ligjit për Arsimin e Lartë.

“Asgjë nuk zgjidhet nëse Ligji nuk rishikohet apo pezullohet. Asgjë nuk zgjidhet nëse pas katër pikave të studentëve nuk abrogohet Ligji plotësisht”, thekson Tabaku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.