Prezantohet libri i akademikut Kolec Topalli, “Një jetë me brenga”

78

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), prezantoi në sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, librin e parë të kolanës vjetore 2018, “Një jetë me brenga” të akademik Kolec Topallit, me rastin e 80-vjetorit të tij.

Në prezantimin e librit të akademikut Topalli, merrnin pjesë shkrimtarë të përndjekur, studiues dhe familjarë të autorit.

Gjatë promovimit të librit, “Një jetë me brenga”, drejtori i ISKK Agron Tufa shprehet se puna e akademikut të shquar Kolec Topalli do të ngelet e paharruar dhe do t’i shërbejë gjithmonë Shqipërisë dhe brezave të ardhshëm”.

Po ashtu, Tufa ka cituar disa vargje të autorit i cili i shkroi në moshën 70-vjeçare që brezi i ri të njoh të vërtetën e hidhur të regjimit komunist.

Akademiku Kolec Topalli shkruante: “Gjatë gjithë jetës time nuk kam menduar se ndonjë ditë do të ulesha të shkruaj kujtimet e një jete të kaluar plot brenga; prandaj edhe këto kujtime janë shkruar në moshën 70-vjeçare. Arsyeja që më shtyu të hedh në letër këto kujtime është dëshira që brezi i rritur në demokraci të njohë sa e vështirë ka qenë jeta e intelektualëve dhe e gjithë popullit shqiptar në regjimin totalitar komunist”.

Prandaj, në përputhje me këtë qëllim, në këto kujtime jam përqendruar vetëm në disa aspekte të jetës time, e cila përbën absurditetin më të madh të atij regjimi, njëkohësisht edhe faqen më të dhimbshme të tij. Për këtë arsye kam lënë jashtë çdo gjë që lidhet me jetën time personale e familjare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e mia me pushtetin komunist dhe me botën shkencore, që ka qenë tej mase e politizuar. Sigurisht të vërtetat e këtyre kujtimeve nuk janë asgjë para vrasjeve, burgosjeve, torturave çnjerëzore dhe sa e sa mizorive të tjera, që ka kryer diktatura komuniste për 50 vjet me radhë. Megjithëse, ato plotësojnë kuadrin e përgjithshëm të mungesës së lirive, të përndjekurve dhe nëpërkëmbjes së intelektualëve dhe të gjithë popullit”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.