Përurohet inkubatori i produkteve tipike në Malësinë e Madhe

72

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/- Inkubatori i produkteve tipike në Reç të Malësisë së Madhe, nga sot është një hapësirë e përbashkët për fermerët dhe amvisat, për të prodhuar produktet tipike me metoda tradicionale, por të certifikuara me kërkesat e tregut dhe sigurisë ushqimore, duke garantuar aksesin në treg edhe për fermerët e vegjël.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi i pranishëm në ceremoninë e përurimit të këtij inkubatori u shpreh se, ky është një model, një investim modest që i shërben të nesërmes së bujqësisë së zhvilluar.

“Kjo që kemi inauguruar sot, është Shqipëria rurale e së nesërmes. Ky inkubator bashkon fermerët. Gjysma e popullsisë jeton në fshat, jeta nuk është e thjeshtë, e tillë është struktura shqiptare. Ne po punojmë që krahas mbështetjes së bujqësisë, të mund të krijojmë dhe mbështesim ekonomi të tjetra suplementare, siç janë produktet tipike, frutat e pyllit, bimët medicinale etj. Ky investim ju jep vlerë banorëve, përpunimi i gështenjave në kushte më të mira dhe pastaj kjo do bëj të tregtohen edhe me një çmim më të lartë. Kjo do rrisë edhe ekonominë në fshat”, – tha Peleshi.

“Në çdo fshat ja vlen të investosh një strukturë turizmi. Ka incentiva qeveritare shumë të shumë të mira. TVSH është ulur 6% për agroturizmin. Tatimfitimi është ulur në 5%. Unë iu inkurajoj që të gjithë ata që janë të interesuar, të organizohen në shoqata që ju sjellin përfitim dhe asnjë barrë”, – theksoi ai.

“Ky është modeli i bashkëpunimit mes fermerëve. Projekti i shoqërisë “Agro Reçi” që i shërben komunitetit të zonës, zhvillimit të produkteve tipike të zonës dhe sigurisht rritjes së të ardhurave, zgjoi mbështetjen e qeverisë dhe të donatorëve për të mbështetur dhe finalizuar ndërtimin e këtij inkubatori”, – tha Peleshi.

Duke u ndalur në vëmendjen e qeverisës për të zgjidhur problemet kyçe me të cilat ndeshet bujqësia sot, ministri Pelelshi theksoi se, dy ligjet për reformën e pronës i japin zgjidhje çështjes së pronësisë, dokumente ligjore që i hapin rrugën çdo fermeri për të aplikuar në programin IPARD, ku mundësitë e financimit janë të shumta si asnjëherë më parë.

“Përmes bashkëpunimit mes fermerëve dhe vëmendjes së donatorëve do ta çojmë bujqësinë një hap përpara”, – tha Peleshi.

Ndërsa drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca tha se, ky projekt që shohim sot, me mbështetjen e subvencioneve të qeverisës nga ide në letër, është një realitet.

“Një investim që e pamë të shkruar në prill në zyrën e AZHBR-së, sot është realitet, i një modeli të ri, për grumbullimin, përpunim dhe tregtimin e prodhimet tradicionale tipike të zonës”, – tha Krifca.

Në zonën e veriut janë dhënë rreth 94 milionë lekë nga programet mbështetëse të AZHBR, tha Krifca dhe iu bëri thirrje fermerëve për të aplikuar për programet e IPARD-it.

“Këtë projekt në prill e pamë në dosje në AZHBR, sot është bërë realitet. Në këtë inkubator do të bëhet përpunimi i sherebelit, frutave të pyllit dhe shumë produkteve të tjera të zonës, të cilat do të jenë gati për tregtim brenda dhe jashtë vendit. 89 milion lekë janë dhënë në zonën e veriut nga AZHBR. Është mbështetur vreshtaria, bletaria blegtoria. Kjo zonë ka nevojë për mbështetje të mëtejshme. Aplikimet do të mbyllen më 30 janar. Kështu që ju bëj thirrje të aplikoni për të përfituar nga programet i IPARD-it”, – tha ajo.

Ndërsa ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo vuri theksin në mbështetjen që ka adresuar qeveria italiane në sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, që është bujqësia.

Gështenjat e Reçit janë të njohura tashmë, ato eksportohen në Itali dhe ky inkubator do të mbështesë rritjen e tregtisë dhe përmes përpunimit të këtyre produkteve, që është një vlerë e shtuar për ekonominë e fermerëve. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.