Nikolla: Grup pune për 3 kërkesat e tjera të studentëve

61

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla pranoi sot kërkesën e këshillave studentorë që propozon ngritjen e një grupi pune me përfaqësues nga këshillat studentorë, ministria dhe universitetet, për të adresuar pikat 2, 3 dhe 4 të studentëve protestues.

“Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentore që e miratoj me të dyja duart, një kërkesë që më thotë që për kërkesat 2, 3 dhe 4 të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga këshillat studentorë, ministria dhe universitetet”, tha ajo, në një konferencë për shtyp në reagim të protestës së studentëve.

“Jam absolutisht dakord që kjo është rruga e duhur që ne të përmirësojmë shumëçka, por mbi të gjitha të mundësojmë një dialog të shëndetshëm me të vërteta ku bordet e administrimit, senatet e universitetit dhe çdo aktor në jetën e universitetit po ashtu ministria, t’i bëjë transparente dhe të debatojë dhe me studentët për gjithçka merret vendim për jetën universitare”, theksoi Nikolla.

Ministrja Nikolla u shpreh se “më vjen shumë mirë që kam marrë një reagim inkurajues nga disa këshilla studentorë. Është e vërtetë që kemi kohë në fakt që presim për një angazhim të madh të studentëve për zbatimin e reformës në Arsimin e Lartë, për modernizimin jo vetëm të sistemit të financimit, por modernizimin në tërësi të çdo institucioni të Arsimit të Lartë”.

Kjo protestë e studentëve, tha ajo, tregoi para së gjithash se sa pak informacion dhe se sa pak komunikim kishte tek studentët jo vetëm për ligjet, por për gjithçka tjetër që reforma jonë e ndërmarrë për Arsimin e Lartë mendon të sjellë së pari, për studentët dhe për cilësinë e diplomave të tyre.

“Më shumë sesa rëndësia thjesht e vetëm për të shfuqizuar pikën katër të VKM besoj se kjo protestë e studentëve që ia vlejti për të ngjallur më shumë refleksion, shërbeu si një katalizator për një debat shterues brenda universitetit”, tha Nikolla.

Ministrja Nikolla deklaroi më herët se do të hiqet neni 4 i vendimit të Këshillit të Ministrave dhe nuk do të ketë tarifë për provimet e prapambetura. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.