Mundësi bashkëpunimi Francë-Shqipëri në parkun Karaburun-Sazan

98

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ – Qendra e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, u vizitua nga Christina Vasak, ambasadore e Republikës franceze në Shqipëri dhe Joachim Son-Forget, deputet në Asamblenë Nacionale Franceze.

Njohja me parkun detar, vlerat e biodiversitetit, investimet në zonë, menaxhimi i Parkut Detar në vitet në vazhdim dhe mundësitë e përbashkëta të bashkëpunimit në të ardhmen ishin disa nga pikat e diskutuara në takim. Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan është një nga parqet më të vizituara në vend, kryesisht në periudhën e verës.

Është një peizazh i magjishëm që e ofron kjo zonë dhe që këtë verë u vizitua nga rreth 45 mijë turistë vendas dhe të huaj.

I gjithë parku i Llogorasë, pati këtë vit më shumë se 80 mijë vizitorë të bregdetit dhe të natyrës malore.

Bregdeti që shtrihet në këtë gjatësi është nga më të bukurit dhe piktoreskët në vendin tonë.

Veç të tjerash, Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh.

Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore  e dimërore si ngjitje në lartësi, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por së fundmi edhe për sporte ajrore ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive.

Pas zbritjes së Qafës së Llogorasë, nga një rrugë me parametra bashkëkohorë, do të ndeshni plazhet e para të Rivierës Shqiptare, të cilat shquhen për cilësinë shumë të lartë të ujërave detare.

Vitin që shkoi, në kuadër të projektit NaturAl, mbi identifikimin e zonave potenciale për të qenë pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura në Europë, një grup zoologësh, i përbërë nga Michela Pacifici, Enerit Sacdanaku dhe specialistë shqiptarë bënë investigimin e gjallesave në këtë park.

U realizua montimi i kamerave kurth, të ngritura nga specialistët e natyrës, me qëllim inventarizimin dhe monitorimin e faunës.

Në Parkun Kombëtar të Llogorasë ka dhe një muze ku janë ekspozuar historia dhe arritjet e këtij parku.

Ky park është kthyer në një atraksion turistik tepër të vizitueshëm nga turistët vendas dhe të huaj.

Jo vetëm nga natyra e bukur ku mund të shijosh edhe qëndrimin në mal, por edhe atë në det, një vend që i përfaqëson të dyja klimat, malore dhe detare, por tani së fundmi, në park mund të vëzhgosh dhe specie të ndryshme kafshësh e shpendësh  të egra.

Turizmi i vëzhgimit po kthehet në prioritar edhe në këtë zonë.

Gastronomia krahinore është një tjetër kënaqësi për ata që drekojnë apo rrinë më gjatë në ambientet turistike të Llogorasë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.