Majko në Itali, diskutohet çështja e pensionit të emigrantëve

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ – Shqetësimi i komunitetit shqiptarë për çështjen e pensioneve në Itali u diskutua gjatë një takimi të ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko në komisionin e Jashtëm të Parlamentit italian.

“Është një çështje që kërkon kohën e saj për t’u zgjidhur, por duhet të kemi parasysh që shqiptarët janë komuniteti me i madh dhe më i integruar në Itali”, – tha ministri Majko.

Në takim u diskutuan tema të ndryshme që prekin dy vendet. Gjatë takimit u fol për problematikat me të cilat përballet Diaspora shqiptare në Itali. Përpara komisionit, ministri bëri një prezantim të shkurtër të arritjeve në kuadrin ligjor dhe politikave strategjike për fuqizimin e Diasporës.

“Në Itali ne kemi komunitetin me të vjetër të shqiptarëve jashtë vendit dhe sigurisht që është komuniteti më i madh i shqiptarëve që ekziston jashtë Shqipërisë. Kjo e bën edhe më të veçantë marrëdhënien midis dy vendeve tona dhe e bën edhe më të natyrshme, sepse ne kemi një lidhje të përbashkët, që lidhet sa me arbëreshët, aq edhe me shqiptarët e rinj që kanë ardhur pas viteve ‘90. Tani është duke u krijuar brezi i dytë i emigrantëve që kanë ardhur në vitet ’90, të cilët janë të shkolluar, profesional, me dije dhe janë rritur nën hijen e kulturës italiane. E vlerësoj këtë dhe e shoh si një mundësi të madhe për të pasur marrëdhënie të ngushta midis dy vendeve tona”, tha ministri Majko.

Me tej, diskutimi vijoi mbi situatën politike në Shqipëri, Itali si dhe angazhimet në politikat e Bashkimit Europian.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.