Limaj takon ambasadorin hungarez, Laszlo Markuzc

63

PRISHTINË, 6 dhjetor /ATSH/ – Zv.kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markuzc, me të cilin bisedoi për zhvillimet e tanishme në vend, liberalizimin e vizave, rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Limaj theksoi nevojën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke shtuar se tashmë është konstatuar edhe nga Bashkimi Europian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe është e padrejtë që qytetarët e Kosovës të mbesin edhe më tej të izoluar.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, zv/kryeministri tha se dy shtetet duhet ta thellojnë bashkëpunimin duke ftuar shtetin hungarez për investime në Kosovë.

Temë e këtij takimi ishte edhe faza finale e dialogut me Serbinë. Dialogu, tha Limaj, është temë nacionale dhe do të duhej një gjithëpërfshirje dhe konsensus sa më i gjerë, në mënyrë që marrëveshja përfundimtare të jetë e pranueshme nga të gjithë dhe të jetësohet në praktikë.

Ai theksoi se marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve për Kosovën nënkupton njohjen nga Serbia dhe anëtarësim në OKB e mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Ndërkohë ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markuzc, tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë është në të mirë të dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi. Ai  ofroi mbështetjen e plotë të shtetit hungarez për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Limaj falënderoi ambasadorin Markusz për ndihmën që shteti hungarez ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.