Kosovë/Rritja ekonomike në 2019, 4.7%

61

PRISHTINË, 6 dhjetor /ATSH/ – Ministri i Financave, Bedri Hamza paraqiti para deputetëve projekt buxhetin për vitin 2019, i cili tha se ofron më të mirën për qytetarët dhe ekonominë.

Hamza tha se buxheti adreson prioritetet qeverisëse duke mundësuar përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ai përsëriti se rritjet ekonomike e vendit për vitin 2019 pritet të jetë 4.7% në terma realë, ndërsa në atë nominal 5.4 %.

“Presim që në vitin 2019, të ardhurat në buxhet të jenë 1 miliard e 949 milionë euro gjë që paraqet një rritje prej 7.3%  në raport me vitin 2018 ose në vlerë një rritje prej 123 milionë euro. Kjo rritje e projektuar pritet të vijë kryesisht nga të ardhurat tatimore me një rritje prej 7.7%, ndërsa brenda të ardhurave tatimore, tatimet direkte pritet të rriten 5% ndërsa, ato indirekte mbi 8 %. Rritja e bazës tatimore si konsumi, investimet dhe importet prodhojnë nga 5 deri në 6% të ardhura shtesë, ndërsa pjesa e tjetër nga 1 deri në 2%, do të arkëtohen duke përmirësuar administrimin e tatimeve dhe duke zvogëluar stokun e borxhit tatimor“, tha ai.

Sipas tij, të ardhurat jo tatimore presin që të mbesin të njëjta për gjatë periudhës afatmesme, pasi nuk ka një përformancë të mirë të të ardhurave nga komunat. Ai foli edhe për shpenzimet.

“Gjithsej shpenzime buxhetore do të jenë në vlerë pre 2 miliardë e 365 milionë euro, që paraqet një rritje prej 261 milionë euro, nëse e krahasojmë me vitin aktual apo 12.5 % më shumë… Ky propozim buxhet ofron më të mirën për qytetarët dhe ekonominë tonë, duke pasur parasysh kufizimet që na imponohen nga shumë faktor të brendshëm dhe të jashtëm“, tha ai.

Po ashtu, ai u ndal edhe te rritja e investimeve kapitale, ku numëroi projektet që do të realizohen. Hamza shtoi se ka rritje të investimeve në infrastrukturë.

Ministri u ndal edhe te rritja e investimeve për shëndetësinë, edukimin, ekonominë dhe sigurinë. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.