Komedia ”TAG” rikthehet për publikun në muajin festiv

68

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ – Rikthehet për të gjithë ata që nuk patën mundësi ta shihnin, komedia ”TAG” nga Bashkim Hoxha me regji të Andia Xhungës. Kjo komedi vjen për publikun kryeqytetas si dhuratë gjatë këtij muaji festiv pasi trajton një temë mjaft aktuale atë të rrjeteve sociale dhe impaktin që kanë ato në marrëdhëniet shoqërore.

”TAG” është një realizim tërësisht shqiptar, i prodhuar nga Bashkim Hoxha në bashkëpunim me Andia Xhungën si regjisore, Genc Shkodranin si skenograf, Berina Kokonën si kostumografe dhe Agim Krajkën dhe Saimir Çilin si realizues të muzikës.

Pjesë e rëndësishme e komedisë janë edhe aktorët të cilët janë Olta Daku, Gert Ferra, Indrit Cobani, Adelina Muça, Naun Shundi, Mehdi Malka, Ardian Cerga, Erjona Kakeli, Besmir Bitraku, Genti Deçka si dhe Rajmonda Bulku.

Nga vetë titulli, “Tag”, kuptohet që vepra lidhet me rrjetet sociale, të cilat janë kthyer në një virus, pse jo edhe shkatërrues për shoqërinë. Dramaturgu nxitet nga një shqetësim i së përditshmes për të ndërtuar një vepër, e cila nuk të bën vetëm të qeshësh me situatat e krijuara prej ngatërresave e krijuara pikërisht nga komunikimi virtual mes njerëzve, por edhe të reflektosh mbi largësinë shpirtërore që kanë mbjellë rrjetet sociale.

Në mënyrë ironike, autori i ka vendosur ngjarjet në një fshat, i cili i ka harruar të gjitha punët dhe është zhytur në “Facebook”.

Shfaqja vjen për publikun në datat 12-13-14-15-16 dhjetor në skenën e ”arTurbinës”. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.