Hiqet VKM për provimet e mbartura

89

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi sot se do të hiqet neni 4 i vendimit të Këshillit të Ministrave dhe nuk do të ketë tarifë për provimet e prapambetura.

Në një konferencë për shtyp, Nikolla theksoi se “që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat për studentët përsëritës”.

“Pra nuk do të ketë kosto shtesë për studentët përsëritës që mbartin provimet nga një vit i mëparshëm”, tha Nikolla.

Ministrja Nikolla tha se “kërkesa e dytë ka të bëjë me dëshirën që ata kanë për të pasur përfaqësues të tyre në bordet e administrimit. Është një praktikë e paparë, në asnjë vend të Bashkimit Europian nuk ka në bordin e administrimit, aty ku menaxhohen financat, përfaqësues të studentëve”. Sipas saj, studentët kanë përfaqësues në senatet akademike, kanë përfaqësues edhe në komisione siç e parashikon edhe ligji, të ngritura për çështje që i përkasin drejtpërdrejt studentëve, që lidhen me cilësinë dhe mënyrën sesi vepron institucioni i arsimit të lartë. Por, shtoi Nikolla, patjetër ne duhet të bëjmë atë që e kemi detyrim që vendimmarrja e bordeve të administrimit dhe mbledhja e këtyre bordeve të jenë të hapura për studentët.

“Nesër ju kërkoj dhe adresoj që ju të realizoni pikërisht këtë që është një element i rëndësishëm për transparencën e bordeve të administrimit. Do të ketë një komunikim jo vetëm me ju, por edhe me administratorët e universiteteve me anëtarët e bordeve të administrimit që vendimmarrja dhe bordet e administrimit të jenë të hapura për studentët”, nënvizoi ajo.

Ministrja Nikolla u shpreh se “ky debat patjetër është i shëndetshëm, për të filluar edhe një refleksion të plotë dhe të thellë se çfarë bëhet me buxhetin që i adresohet institucioneve tona të arsimit të lartë”. “Më lejoni të përsëris edhe një herë se vetëm buxheti i arsimit të lartë publik që disbursohet nga taksat e shqiptarëve është 2 miliardë lekë më shumë sesa buxheti i total i Ministrisë së Bujqësisë ku akomodohet pothuajse gjysma e Shqipërisë”, theksoi Nikolla.

Kërkesa tjetër e paraqitur nga studentët lidhej me përmirësimin e kushteve në konvikt, për të cilën Nikolla deklaroi se “është kjo qeveri që mundëson 18 milionë euro, në infrastrukturën e akomodimit në Qytetin Studenti. Është një projekt impresionues jo vetëm nga pikëpamja e eficiencës energjetike por së pari, për nga standardet e reja, ato fizike dhe kushtet e tjera të akomodimit të studentëve”. Lidhur me kërkesën për përgjysmimin e tarifave të studimit në universitetet publike, Nikolla tha se “është e qartë si drita e diellit se qeveria nuk mund të bëjë as ulje, as ngritje të tarifave të studimit. Janë universitetet ato që me strukturat e veta përcaktojnë tarifën e studimit, kuotat për çdo program dhe kriteret e pranimit në çdo univeristet”.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.