Haradinaj: Diploma të konkurrueshme me shtetet e BE-së

130

TIRANE, 6 dhjetor/ATSH/- Përmirësimi i sistemit të arsimit, krijimi i shkollave kampione sipas modelit gjerman, menaxhimi i shkollave, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i rolit të mentorëve, me qëllim që të kemi një diplomë të konkurrueshme me shtetet e BE-së, janë disa nga prioritetet dhe ndihma e shtetit gjerman në adresimin e këtyre projekteve ishte dhe mbetet e domosdoshme”.

Kështu deklaroi Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me përfaqësuesin e projektit të GIZ-it gjerman, Boris Scharlowski, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Haradinaj e falënderoi Scharlowski për kontributin e organizatës GIZ në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend duke theksuar se arsimi në Kosovë mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë.

Kryeministri tha se rritja e buxhetit në arsim, 300 milionë euro më shumë për vitin 2019 është hapi i parë në përmirësimin e arsimit në vend.

“Tani, bashkë na mbetet të angazhohemi që implementimi i agjendës tonë për një arsim të mirëfilltë të shkojë në rrugën e duhur”, tha Kryeministri Haradinaj duke vlerësuar se krahas këtyre reformave, shkollimi profesional dhe dual është tejet i nevojshëm për Kosovën dhe në këtë aspekt kërkohet me shumë angazhim.

Kryeministri Haradinaj theksoi se dëshmi që po punohet në ngritjen e cilësisë se arsimit është po ashtu edhe rritja e buxhetit të Komunave për Arsim deri në 185 milionë euro, 14 milionë euro më shumë se këtë vit, ndërkaq, me Ligjin për pagat, punonjësit e arsimit do të kenë pagë më dinjitoze.

Nga ana e tij, Boris Scharlowski, udhëheqës i projektit, e ka falënderuar Kryeministrin Haradinaj për angazhimin e Qeverisë në përmirësimin e sektorit të arsimit dhe tha se GIZ do të vazhdojë që të japë sa më shumë kontributin e tij duke ndihmuar në përmirësimin e sektorit të arsimit, ngase kjo, siç tha ai, ka të bëjë me perspektivën dhe të ardhmen e fëmijëve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.