Gjonaj e vendosur: Jo amnisti për dhunuesit e grave

77

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH-A. Fortuzi/- Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha sot se po punon me kryeministrin dhe institucionet e tjera ligjzbatuese për hartimin e një ligji që pengon marrjen e amnistisë nga personat që kanë ushtruar dhunë seksuale apo fizike ndaj grave dhe vajzave.

Gjonaj duke folur në konferencën Kombëtare “Të Drejtat e Grave janë të Drejtat e Njeriut” e organizuar nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, theksoi se bëhet fjalë për një sfidë që mund të fitohet vetëm duke punuar së bashku. “Ministria e Drejtësisë e ka vlerësuar si një prej prioriteteve më të rëndësishme të saj punën për sigurimin dhe respektimin e të drejtave të grave si dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna”, tha Gjonaj.

“Ministria e Drejtësisë, veçanërisht gjatë vitit të fundit e ka orientuar punën e saj për garantimin e të drejtave njerëzore të grave dhe parandalimin e dhunës ndaj tyre në dy drejtime: Në hartimin dhe miratimin e një kuadri ligjor sa më të plotë dhe bashkëkohor për mbrojtjen e grave dhe ajo çfarë është shumë e rëndësishme aksesin në drejtësi përmes ndihmës juridike falas. Dhe njëkohësisht me një iniciativë të përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Brendshme për  ngritjen e një zyre koordinimi kundër Dhunës në Familje”, tha Gjonaj

“Unë, gjithashtu edhe me mbështetjen e kryeministrit dhe Ministrinë e Drejtësisë po përpilojmë një akt ligjor i cili ka të bëjë me amnistinë e fundvit ku ashtu siç unë jam zotuar në mënyrë publike por që gjen vend edhe në këtë pr/ligj, ku pikërisht ata persona që janë dënuar për vepra penale seksuale apo vepra penale të dhunës në familje nuk do të gjejnë vend në pr/ligjin për amnistinë. Jam e sigurt që kësaj gjëje do t’i shkoj deri në fund duke pasur edhe mbështetjen e grave deputete të cilat në asnjë rast nuk do të pranojnë që kjo kategori apo këto subjekte të dënuara për këto vepra penale të mos bëjnë pjesë në këtë amnisti”, shtoi Ministrja e Drejtësisë.

“Në vitin 2017 Ministria e Drejtësisë ndërmori iniciativën ligjore për të bërë disa ndryshime dhe për të plotësuar kuadrin ligjor me akte nënligjore edhe të ligjit për Ndihmën Juridike Falas.

Njëkohësisht një ligj shumë i rëndësishëm është edhe Kodi i Procedurës Penale, i cili ka parashikuar në dispozitat e reja ligjore, që të përcaktojnë të drejtat e viktimës së veprës penale, në aspektin procedural penal, duke e trajtuar viktimën si subjekt të posaçëm dhe me të drejta të privilegjuara në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë, në Kodin e Procedurës Penale”, tha Gjonaj.

“Një ligj tjetër i rëndësishëm i ndryshuar në vitin 2018, i cili rregullon parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje, është ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare””, vijoi ajo.

Ministrja Gjonaj bëri të ditur se, “në bashkëpunim edhe me organizatat ndërkombëtare por edhe me shoqërinë civile, Ministria e Drejtësisë ka planifikuar që në vitin 2019 të ngrejë 8 qendra ku do të ofrohet ndihma juridike parësore, kryesisht pranë gjykatave të rretheve gjyqësore por edhe pranë bashkive aty ku në ato gjykata nuk ka mundësi fizike për të akomoduar këtë zyrë, me qëllim që jo vetëm t’ju ofrohet ndihma juridike parësore të gjithë individëve që do kenë nevojë, por kryesisht grave të cilat janë viktima të dhunës në familje”, tha ministrja e Drejtësisë.

“Më lejoni të theksoj se njëkohësisht në vëmendjen e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2018, por që do vazhdojë të jetë, është pikërisht garantimi dhe respektimi i të drejtës së pronës së grave, e konsideruar si një e drejtë e themelore.  Për këtë, mjafton t’ju jap një shembull që ju gjatë punës tuaj të përditshme e keni hasur, ku nëse një grua ka aplikuar, ose bashkëshorti ka aplikuar në emër të saj në zyrat e ALUIZNI-t për të legalizuar banesën që ata e kanë pasur së bashku në regjimin e përbashkët pasuror dhe nëse ka ndodhur një divorc apo më keq një divorc për shkak të dhunës në familje, në rastet kur kjo pasuri duhet të ishte regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshëm ajo regjistrohej automatikisht vetëm në emër të bashkëshortit dhe gruaja automatikisht mbetej pa pasuri. Duke mbajtur në konsideratë këtë çështje ne jemi munduar ta trajtojmë pikërisht duke përpiluar disa urdhra të brendshëm por nga ana tjetër edhe në kuadrin e ri ligjor që trajtohet e drejta e pronës, nëpërmjet asgjësisë së integruar pikërisht të drejtat pasurore të grave do të jenë ato që do të zënë një vend dhe i kemi pasur në konsideratë edhe kur kemi hartuar draft ligjin i cili sot po diskutohet në Kuvend, me qëllim që gratë të mos jenë ato që enden nëpër zyra por të gëzojnë të njëjtat të drejta ashtu si bashkëshortët, që nga procesi i aplikimit për legalizimin e pronës dhe deri tek regjistrimi i saj dhe më pas ndarjen kur një çift divorcohet”, theksoi Gjonaj gjatë fjalës së saj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.