FOTO/ Kalendari “Pirelli 2019” mes ëndrrës dhe realitetit

81

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ – Një kalendar që nuk sjell vetëm trupa, por edhe jetë! Ky është kalendari “Pirelli 2019”, i prezantuar në Milano dhe i realizuar nga fotografi i modës skoceze, Albert Watson.

Katër janë muzat që shfaqen në 40 imazhet me ngjyra dhe bardhezi, të realizuara mes Miamit dhe New York-ut, aktoret Laetitia Casta, Gigi Hadid, Julia Garner me balerinën Misty Copeland.

Katër janë filmat e vegjël, siç i quan Watson, që rrëfehen në kalendar, 4 histori mes ëndrrës dhe realitetit: Gigi jeton në Manhattan dhe është një zonjë e pasur e pushtuar nga mërzia dhe vetmia; Misty është një balerinë që kërkon sukses; Laetitia është një piktore që jeton në një garsonierë me shokun e saj; ndërsa Julia një fotografe e re.

Në vitin e lëvizjes “#MeToo” dhe të pozicioneve të ashpra kundër dhunës mbi gratë, edicioni i 46-të i kalendarit “Pirelli” nuk mund të ishte ndryshe.

“Ka një mesazh simbolik. Gratë ngrenë zërin e thonë ‘jemi të rëndësishme dhe kemi për të thënë gjëra të rëndësishme’”, thotë Misty Copeland.

Katër modelet bëhen kështu interpretuese të ëndrrave dhe ambicieve, e si në përditshmëri, kanë pranë tyre burra, të fejuar apo miq që i mbështesin dhe ndajnë me to angazhimin, zhgënjimin dhe sfidat. /a.a//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.