FOKUS – Grindje në CDU përpara largimit të Merkelit

65

BERLIN, 6 dhjetor /ATSH-AFP/ – Tensioni është rritur brenda partisë konservatore gjermane CDU për linjën drejtuese që do të vendoset pas largimit të parashikuar të Angela Merkel, në hapje të kongresit, i cili do të përzgjedhë edhe pasuesin e saj.

Kancelarja u detyrua të tërhiqet nga presidenca e Unionit Kristian-demokrat (CDU) pas humbjes në zgjedhjet e vjeshtës, hapi i parë drejt largimit nga pushteti planifikuar në parim në 2021.

Njëmijë e një delegatë të kësaj force politike do të jenë të pranishëm sot pasdite në kongres në Hamburg deri të shtunën për të zgjedhur kreun e ri të partisë në mesin e katër kandidaturave, ku dy prej tyre, Friedrich Merz dhe Jens Spahn synojnë një shkëputje nga linja centriste e Angela Merkelit dhe mbështesin tezën e një qëndrimi më djathtas.

Përfundimi mbetet shumë i pasigurtë midis Merz dhe një figure të afërt të kancelares, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Ndërsa personalitetet më me influencë të partisë ishin treguar të rezervuar për të veçuar një nga kandidaturat për të mos përhapur përçarje, armëpushimi është thyer menjëherë në prag të kongresit.

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, person i ngushtë me kancelaren drejtoi sot akuza ndaj Wolfgang Schauble, kryetari i Dhomës së Deputetëve dhe figurë historike e CDU-së, pasi shfaqi hapur një ditë më parë mbështetjen e tij ndaj Friedrich Merz, 63 vjeç.

Ai me këtë rast nuk humbi kohë për të zyrtarizuar mbështetjen e tij ndaj kundërshtares së Merz, Annegret Kramp-Karrenbauer. / /v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.