Fier/ Miratohet buxheti afatmesëm, i hapet rrugë investimeve

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Me shumicë votash, por me votën kundër të përfaqësuesve të opozitës, këshilli bashkiak i Fierit i hapi rrugë sot vazhdimit të investimeve në gjithë territorin e bashkisë, duke garantuar rritjen e shërbimeve dhe cilësisë së tyre.

Pas miratimit të Paketës Fiskale dhe Buxhetit të bashkisë për vitin 2019, në këtë mbledhje u votua dhe miratua edhe buxheti afatmesëm përfundimtar (PBA) 2019-2021 i bashkisë Fier, si dhe kalendari orientues për menaxhimin e shpenzimeve vendore të vitit 2019.

Në emër të bashkisë Fier, nënkryetarja Enkeljeda Peshkëpia, sqaroi në detaje anëtarët e këshillit mbi të gjitha zërat e buxhetit 2019, duke garantuar që “bashkia Fier do të vazhdojë punën e nisur me të njëjtin përkushtim dhe angazhim, duke synuar rritjen e cilësisë dhe sasisë së shërbimeve dhe investimeve gjithashtu”. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.