“Fair Play” financiar, “Milan” pret verdiktin e UEFA-s

73

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH-A. Fortuzi/ – Skuadra e “Milanit” është me sy e veshë nga Nion, ku ndodhet selia zyrtare e Federatës Europiane të Futbollit (UEFA). “Kuqezinjtë janë në pritje të komunikimit zyrtar që UEFA pritet t’i japë kuqezinjve në lidhje me sanksionet që do i vendosen “Milanit” për mos respektimin e normës të “Fair Play-t” financiar për trevjeçarin 2014-2017”, shkruan “Il sole 24 Ore”.

Sipas artikullit në fjalë, pritshmëria është që vendimi të jepet brenda tre ditëve të para të javës së ardhshme, teksa gjoba pritet të kapi vlerën nga 5-7 milionë euro, pa kufizime në merkato, apo penalizimin në Europa Ligë.

Pas kësaj, në pranverën e ardhshme pritet të ketë sërish një diskutim mes klubit kuqezi dhe UEFA-s, ku do kërkohet një marrëveshje, në të cilën kuqezinjtë do të tentojnë që të bindin UEFA-n për të vlerësuar si të paguar gjobën duke parë se kuqezinjtë kanë sakrifikuar në merkato një shifër afro 17 milionë euro, pikërisht për të respektuar normën e “Fair Playt” financiar, duke premtuar se projekti kuqezi në vijim do jetë brenda normave financiare të paracaktuara nga UEFA.

Norma e “Fiar Play-t” financiar është një normë që i mundëson UEFA-s të monitorojë shpenzimet e blerjeve dhe shitjeve në merkato, duke ruajtur kështu standardet shpenzimeve mes klubeve të vogla dhe të mëdha me qëllim që të ndalojë shpenzimet marramendëse në merkato, të cilat janë jashtë çdo lloj llogjike financiare, duke krijuar diferenca të mëdha mes klubeve që dëmtonin konkurrencën e ndershme në botën e futbollit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.