Bushati në Këshillin Ministror të OSBE-së: Shqipëria e angazhuar për stabilitetin në rajon

72

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Milano për të marrë pjesë në punimet e takimit të 25-të të Këshillit Ministror të OSBE-së.

Në ditën e parë, ministrat e Jashtëm të kësaj organizate diskutuan mbi rolin e OSBE dhe përpjekjet e përbashkëta për zgjidhjen e konflikteve dhe adresimin e sfidave me të cilat përballet sot siguria dhe stabiliteti në hapësirën e OSBE-së.

Ministri Bushati nënvizoi se, Shqipëria mbështet plotësisht prioritetet e kryesisë italiane të prezantuara në fillim të këtij viti, për të forcuar kapacitetet e OSBE-së dhe qasjen e saj proaktive në sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik dhe mjedisor, dialogun politik dhe ushtarak si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimet themelore.

Ai vuri në dukje se Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj të çmuar jo vetëm në zbatimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Ministri preku edhe çështjen e sfidave dhe ekstremizmit të dhunshëm, për të cilat u shpreh se “kërcënimet e tilla transnacionale kanë nevojë, me çdo kusht, për një transparencë dhe parashikueshmëri më të madhe. Besimi dhe dialogu konstruktiv janë mjetet kyçe që do të na mundësojnë të ndajmë më shumë informacion dhe të trajtojmë së bashku sfidat aktuale dhe të ardhshme në zonën e OSBE-së”.

Ministrat shkëmbyen mendime gjithashtu mbi forcimin e rolit dhe kapaciteteve të OSBE-së si dhe kontributin e secilit për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të OSBE-së, nevojën e vendosjes së dialogut dhe përgjegjësisë së përbashkët për respektimin e parimeve dhe unitetit të Organizatës.

“Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj të vlefshëm në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe premton t’a përdorë këtë kontribut dhe kapacitet për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv, në dobi të sigurisë për të gjithë hapësirën e OSBE-së”, – tha Bushati.

Gjatë punimeve të Ministerialit të Milanos, ministri zhvilloi takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të institucioneve të OSBE si dhe me homologë të pranishëm në Milano.

z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.