BRUKSEL – Parisi dhe Berlini propozojnë një reformë të re të azilit në BE

64

BRUKSEL, 6 dhjetor /ATSH-AFP/ – Franca dhe Gjermania prezantuan sot në Bruksel një seri propozimesh për t’u përpjekur që të zhbllokojnë reformën e sistemit europian të azilit, që është bllokuar nga mosmarrëveshja mbi pritjen e detyrueshme të azilkërkuesve, sipas burimesh diplomatike.

“Për të dalë nga ky ngërç që zgjat prej më shumë se dy vite, Parisi dhe Berlini sugjerojnë që të autorizojnë disa vende që të mos preken nga masat e shpërndarjes së detyrueshme të azilkërkuesve në BE”, sipas një dokumenti të prezantuar gjatë një mbledhje të ministrave europianë të Punëve të Brendshme.

Por një përjashtim i tillë duhet të nënshtrohet disa rregullave, ku çdo vend duhet të motivojë çdo periudhë përjashtimi dhe të pranojë masa alternative dhe të rëndësishme solidariteti me vendet europiane që përballen me ardhje masive të azilkërkuesve.

Sipas dokumentit franko-gjerman, duhet të garantohet gjithashtu që një grup i mjaftueshëm shtetesh anëtare të marrë pjesë në mënyrë efektive në rishpërndarjen e detyrueshme të refugjatëve. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.