Studentët kundër tarifave, protestë para Ministrisë së Arsimit

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ – Studentët e Universitetit të Tiranës dhe të Politeknikut protestuan përpara Ministrisë së Arsimit, për të kërkuar anulimin e tarifës për provimet e prapambetura.

Protesta nisi në Universitet rreth orës 09:30 dhe më pas ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku i bën thirrje ministres së Arsimit Lindita Nikolla të anulojë vendimin. Sipas tyre, tarifa është e lartë dhe nuk mund të paguhet vetëm me një këst, ndërsa ministrja Nikolla do të ketë një reagim zyrtar.

Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale i pyet ata nëse janë dakord që t’i paguajnë ata, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentët ngelës.

“Unë për vete nuk jam dakord, e para, dhe e dyta, nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vetë universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare), po ka zhurmë kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe këmbëngulje nga një pakicë për të mos pranuar zbatimin e reformës që e nxjerr universitetin nga bataku shumëvjeçar”, tha Rama.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.