SHBA – Aktori Sean Penn në Stamboll për një dokumentar për Khashoggin

UASHINGTON, 5 dhjetor /ATSH-AFP/ – Aktori amerikan Sean Penn ndodhet në Stamboll për të punuar mbi një dokumentar për gazetarin saudit, Jamal Khashoggi, i vrarë dy muaj më parë në konsullatën e vendit të tij në metropolin turk, raportojnë mediat.

Sipas agjencisë shtetërore turke ”Anadolu” aktori, fituesi i dy Çmimeve Oskar është drejtuar në Konsullatën e Arabisë Saudite ku stafi i tij po bën xhirime.

Në një video të publikuar nga mediat turke, Sean Penn shfaqet i veshur me të zeza nga koka tek këmbët, i drejtuar nga kamera përpara një postblloku të policisë turke që nuk i lejon të futet në konsullatë.

Pikërisht në këtë përfaqësi diplomatike Jamal Khashoggi, një redaktor saudit me banim në SHBA, i cili shkruante për ‘’ Washington Post’’, u vra më 2 tetor./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.