Republika Çeke mbështet Kosovën dhe FSK-në

PRISHTINË, 5 dhjetor /ATSH/ – Zv.ministri i MFSK-së, Burim Ramadani deklaroi sot se procesi i transicionit të FSK-së ndihmon në forcimin e angazhimit të marrëdhënieve në temat e sigurisë e të mbrojtjes midis shteteve në rajon.

Ai gjatë vizitës në Çeki tha se Kosova synon që të kthehet në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale, përmes angazhimit të saj aktive në misione paqeruajtëse nëpër zona të konfliktit kudo nëpër botë, krah për krah me ushtritë e shteteve të NATO-s.

Gjatë takimit me zv.ministrin për Siguri dhe Çështjet Multilaterale, Martin Povejshil dhe zv. ministrin dhe drejtori i Departamentit për Europën Jugore dhe Juglindore, Martin Koshatka, zv.ministri Ramadani i informoi zyrtarët e lartë çekë për procesin e transicionit të FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtjes, duke qartësuar objektivin e Qeverisë së Kosovës dhe procedurat e rregullta parlamentare për këtë proces.

“Qëllimi nacional i Kosovës është anëtarësimi në NATO”, u shpreh ai.

Ndërsa, zv.ministri Povejshil shprehu mirëkuptimin e Republikës Çeke, për procesin e transicionit të FSK-së, duke theksuar mbështetjen për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

Vizita në Pragë e delegacionit të FSK-së, realizohet në kuadër të kampanjës informuese për transicionin e FSK-së, aktivitet ky, që ka nisur në pranverë të vitit 2018 dhe do ta vazhdojë edhe në shtetet e tjera anëtare të NATO-s. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.