Protesta e studentëve për tarifat, ministrja Nikolla sqaron procedurat

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ – Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla sqaroi gjatë një interviste televizive se është e gatshme për të dialoguar me studentët të cilët protestuar sot përpara Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se nga VKM nuk preken studentët të cilët kanë filluar ciklin e studimeve.

Ministrja Nikolla theksoi se ka kërkuar nga rektorët dhe dekanët e fakulteteve që të informojnë dhe sqarojnë studentët për këtë pikë.

“Vendimi i qeverisë është ngritur me kërkesën e vetë institucioneve të arsimit të lartë, të cilët kanë kërkuar motivimin e rezultateve më të mira në aulat universitare dhe për të demotivuar mbetësit ose përsëritësit. Është incentivë që motivon cilësinë. Me kërkesë të universiteteve duke dashur që të dekurajojë rikthimin e pafund, deri në 10 herë të marrjes së një provimi, edhe në rastet kur shkon në vitin e tretë ka shumë studentë që nuk kanë shlyer detyrimet e vitit të parë. Përtej kësaj, unë komunikova me dekanët dhe rektorët dhe siç kemi vepruar gjithmonë nuk mund të merret ky vendim në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Arsimit, kam kërkuar që ata të shterojnë debatin e tyre të brendshëm, të sqarojnë studentët, pasi mesa duket kjo anomali që erdhi sot ka brenda mungesën e informimit dhe të komunikimit me studentët. Të gjitha ata studentë që ishin sot përpara Ministrisë së Arsimit nuk impaktohet dhe asnjëri prej tyre nuk rrezik nga kjo VKM, pasi VKM nuk ka veti prapavepruese, por impakton ata studentë që do të jenë mbetës apo përsëritës të disa provimeve të vitit të parë”, – u shpreh Nikolla.

Duke u ndalur te VKM, për të cilën është shkaktuar edhe protesta e studentëve, Nikolla theksoi se kjo kompetencë duhet t’i kalojë universiteteve.

“Ajo që ne do të vijojmë, janë ato që edhe kam deklaruar, reformat e thella për cilësinë në universitete, duke zhvilluar të gjithë aktorët, përgjegjësitë e tyre dhe këtu kam parasysh të gjithë stafet drejtuese dhe administrative të universiteteve, si dhe Ministrinë e Arsimit. Jam e hapur që në këtë moment të VKM, mos të jetë më pjesa e saj, pika 4, ku u fol sot dhe u ngrit si shqetësim nga ana e studentëve, të jetë në tagër të universiteteve dhe ashtu sikurse vendosin për tarifat, kuotat dhe për kriteret e pranimit në universitet, të marrin dhe përgjegjësinë për të adresuar edhe këtë moment të rëndësishëm”- theksoi ministrja.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u pyet edhe për tarifat e shkollimit për studentët shqiptarë.

“Ka një anomali në atë që theksohet se shpenzimet në familjet shqiptare në vitin 2015, në kuptimin që përkon me reformën e thellë që përkon me mbylljen e universiteteve pa leje, mbylljen e studimeve part-time dhe mosdhënien e kuotave në doktoraturë, sepse kemi një shmangie në 2014 që është 4,2%, në 2015 2,1%, pra kemi një rënie. Buxheti që adreson qeveria për buxhetin e Arsimit është 2 mld lekë më shumë se i gjithë buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, që akomodon gjysmën e popullsisë”, – përfundoi Nikolla. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.