Një libër më pak në bibliotekën tuaj, gëzon një fëmijë

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ – Lëvizja Kombëtare e Leximit frymëzon një nismë të re me të rinjtë e Këshillit Rinor me moton “Të gjithë bashkë mundemi”.

Këshilli Rinor i Ambasadës amerikane në kuadër të Lëvizjes Kombëtare të Leximit me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ndërmarrin fushatën “Dhuro një libër! Ndërtojmë një bibliotekë të vogël për ëndrra të mëdha”.

Kjo fushatë organizon mbledhjen e një fondi librash artistikë për fëmijë për t’u dhuruar më pas për fëmijët e komunitetit të Rromani Baxt.

Keni një libër në bibliotekë që do dëshironit t’i ndryshonte mbrëmjet një fëmije? Doni të ndani një histori mahnitëse me një grup fëmijësh plot ëndrra?

Përgjatë datave 5, 6 dhe 7 dhjetor në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare, American Corner Tirana nga ora 09:00-19:00 të gjithë mund të bëjnë dhurimin e librit. Një libër më pak në bibliotekën tuaj, do të gëzojë një fëmijë që nuk ka asnjë të tillë! /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.