Korçë/ Arrestohen 5 ish-zyrtarë të ZVRPP

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ – 5 ish-zyrtarë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Korçë, janë arrestuar nga Policia, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë sasi parash për regjistrimin e pasurive të cilat ishin me probleme.

Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim datë 05.12.2018, ka vendosur për këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest me burg”, ku dyshohet se iu kanë marrë qytetarëve, sasi lekësh duke iu përpiluar dokumente fiktive, për regjistrim pasurish të cilat rezultonin me probleme në përfitimin e certifikatës së pronësisë.

Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për ndalimin e shtetasve:

  • L.B, 33 vjeç, banues në Korçë, (me detyrë ish-drejtor në ZVRPP-Korçë).
  • E.G, 34 vjeç, banues në fshatin Barç, (ish-punonjës në ZVRPP-Korçë)
  • A. H, 28 vjeçe, banuese në Korçë, (me detyrë regjistruese në ZVRPP-Korçë) të tre për veprat penale parashikuar nga nenet 248, 143/2, 186, 192/a të Kodit Penal.
  • E. A, 36 vjeç, banues në Korçë, (ish-punonjës në ZVRPP-Korçë) nenet 143/2 dhe 186 të Kodit Penal,
  • A. Z, 65 vjeç, banues në Korçë, neni 245/1 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.