FOTO/ “Krijo oksigjenin tënd”, 350 fidanë arre në parkun e Thethit

74

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ – Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër, ka nisur punën për pyllëzimin e Parkut Kombëtar të Thethit me fidanë arre, traditë e kësaj zone të thellë malore.

Specialistët e kësaj administrate, duke angazhuar edhe forca të tjera nga banorët vendas, janë nisur drejt Thethit me 350 fidanë arre, të cilët janë mbjellur në këtë zonë në kuadër të Muajit të Gjelbërimit, sikundër quhet muaji dhjetor.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur se, ”mbillen 350 fidanë arrë në Parkun Kombëtar të Thethit, nga stafi i Zonave të Mbrojtura, me mbështetjen e GIZ.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për oksigjen, për një jetë më të shëndetshme, por ka nevojë për pemë frutore që prodhojnë bujqësi dhe ekonomi! “Krijo oksigjenin tënd”, mbill 5 pemë për fëmijët dhe veten tënde”.

Parku Kombëtar i Thethit vazhdon të jetë i vizitueshëm kryesisht në fundjavat nga të rinjtë e ardhur nga Shkodra, Tirana apo dhe qytete të tjerë të vendit. Bora nuk ka mbuluar ende rrugëkalimet dhe mundësia për ta vizituar në këtë periudhë është më e madhe. Thethi mbetet kryeqendra e turizmit malor në të katër stinët. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.