FOKUS – Kuti Pandore shkrirja e permafrostit?

94

PARIS, 5 dhjetor /ATSH-AFP/ – Territoret e ngrira me permafrost kërcënojnë, duke u shkrirë, të çlirojnë viruse të harruara dhe miliarda tonelata me gaz me efekt serrë që e mbajnë të bllokuar prej mijëra vitesh, duke rrezikuar që të përshpejtojë ngrohjen klimatike.

Çfarë është permafrosti?

Permafrosti është një territor i ngrirë gjithë vitin që mbulon 25% të tokave mbi ujë në hemisferën veriore, kryesisht në Rusi, Kanada dhe Alaskë. Ai mund të përbëhet nga copëza të vogla akulli ose akullnaja gjigante, me një trashësi që arrin deri në qindra metra.

Në permafrost ndodhet i bllokuar rreth 1 700 miliardë tonë karbon, ose rreth dyfishi i dyoksidit të karbonit që ndodhet aktualisht në atmosferë.

Me rritjen e temperaturave, permafrosti ngrohet dhe fillon të shkrijë, duke çliruar gradualisht gazet që deri tani i kishte thithur. Dhe ky fenomen pritet të përshpejtohet sipas shkencëtarëve.

Përshpejtim i ngrohjes

Shkrirja e permafrostit e bënë të domosdoshëm objektivin e shpallur në marrëveshjen e Parisit për të mbajtur ngrohjen klimatike nën +1,5°C në raport me epokën paraindustriale, sipas një studimi shkencor të publikuar në shtator.

Autorët e këtij studimi përshkruajnë një rreth vicioz ku gazi i çliruar nga permafrosti përshpejton ngrohjen, që nga ana tjetër përshpejton shkrirjen e permafrostit.

Deri në vitin 2100, ky i fundit, sipas skenarit më pak të errët, mund të zvogëlohet me 30% duke çliruar deri në 160 miliardë tonë gaz me efekt serrë, ngrinte alarmin në vitin 2015 shkencëtarja Susan Natali, e qendrës së kërkimit “Woods Hole”.

Çlirimi i viruseve të harruara

Përveç efekteve klimatike, shkrirja e permafrostit, që mban baktere dhe viruse shpesh herë të harruara, përbën gjithashtu një kërcënim shëndetësor.

Gjatë verës 2016, një fëmijë vdiq në Siberi nga sëmundja e karbonit (antraks), që është zhdukur prej 75 vitesh nga ky rajon. Për shkencëtarët, origjina përkon me shumë mundësi me shkrirjen e kufomës së një dreri të ngordhur nga antraksi para disa dhjetëra vitesh. Të çliruara, bakteret vdekjeprurëse, që jetojnë në permafrost për më shumë se sa një shekull, kanë infektuar kafshët.

Kërcënimi nuk limitohet vetëm tek antraksi. Studiuesit kanë zbuluar vitet e fundit dy tipe virusesh gjigante, nga të cilët njëri është 30 000 vite i vjetër dhe i ruajtur në permafrost.

Në këto rajone arktike, që shkrirja e permafrostit i ka bërë më të aksesueshme për industrinë minerare dhe të naftës, shkencëtarët parashikojnë që disa prej këtyre viruseve mund të rizgjohen një ditë nëse njeriu gërmon shumë thellë në nëntokë.

Në fund, shkrirja e permafrostit shkakton gjithashtu dëme të kushtueshme materiale. Shembje të godinave, rrëshqitje të dheut, rrugë të paqëndrueshme. Sipas një raporti të “Greenpeace” të publikuar në 2009, kompanitë ruse shpenzonin në atë kohë deri në 1,3 miliardë euro në vit për të riparuar gazsjellësit, godinat dhe urat e deformuara nga efektet e ngrohjes globale dhe të shkrirjes së tokave të ngrira. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.