Buxheti për shëndetësinë, rimbursim edhe i barnave të shtrenjta

99

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/- Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2019 reflekton angazhimet publike në dy sektorë, në atë të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, ndërsa investimet në shëndetësi do të rriten me 20%.

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një intervistë televizive tha se investimet do të shtrihen në të gjithë sektorët. Ajo është ndalur tek barnat e rimbursueshme, për të cilat deklaroi se këtë vit jo vetëm do të shtohet lista e tyre, por rimbursimi do të jetë kryesisht për barna të shtrenjta.

“Ato barna që janë rimbursuar deri tani patjetër që do të vijojnë të rimbursohen, por në këtë buxhet është parashikuar edhe një rritje të sasive të parave që do të shkojnë për rimbursimin e barnave që do të bëjë të mundur të shtohen barna të reja. Rimbursimi i barnave do të jetë kryesisht sipas barnave të shtrenjtave”, – tha Rakacolli.

Më tej, ajo vuri në dukje se do të mbulohen edhe dy paketa të reja.

“Do të vazhdojmë të mbulojmë ato paketa që shkojnë për hemodinamikën, që shkojnë për kirurgjinë e për transplantin renal. Do të shtojmë dy paketa të reja, ajo e radioterapisë pra për ato pacientë që vuajnë nga sëmundje tumorale dhe paketa për katarakun. Do të rimbursohen. Do të bëhen në shtet”, – tha ajo.

Rakacolli se rritja prej 7% e pagave të mjekëve dhe infermierëve parashikohet në këtë buxhet.

Ndërkaq, për bonusin e bebeve parashikohen 2 miliardë lekë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.