Zënia e hapësirave nga mjetet, policia kontrolle në kryeqytet

TIRANË, 4 Dhjetor/ATSH/- Policia Rrugore në bashkëpunim me Policinë Bashkiake duke marrë shkas nga shqetësimet dhe ankesat e shumta të banorëve të kryeqytetit ka nisur kontrollin për zënien e hapësirave publike nga mjetet e amortizuara, si dhe nga ato që shfrytëzojnë këto hapësira për tregje shitje etj,

Sipas njoftimit për shtyp të policisë ka nisur kontrolli i të gjithë territorit urban si fillim, duke evidentuar të gjitha mjetet e kësaj kategorie dhe më pas njoftimin e tyre me qëllim lirimin e hapësirës publike brenda një afati kohor të caktuar në njoftimet përkatëse.

Në funksion të kontrollit dhe verifikimit në terren për evidentimin, njoftimin dhe spostimin e mjeteve që kanë zënë hapësirat publike, deri në këto momente janë njoftuar 165 automjete në zona të ndryshme të kryeqytetit, si dhe janë spostuar 26 të tjera, kryesisht mjete dukshëm të amortizuara dhe mjete që shiten jashtë kushteve dhe tregjeve të miratuara.

Policia Rrugore e Tiranës falënderon të gjithë qytetarët për denoncimet që përcjellin çdo ditë në forma të ndryshme, për mjetet që kanë zaptuar hapësirat publike dhe mbetet e angazhuar për zgjidhjen e problemeve që vijnë si rezultat i këtij fenomeni aspak normal./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.