Veliaj: Kush ka zaptuar qytetin, nuk e mban dot peng

TIRANë, 4 dhjetor /ATSH/ – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj deklaroi se “edhe Kabuli ka “Unazë” dhe se kush ka zaptuar e ka ndërtuar pa leje, nuk e mban dot peng qytetin”.

Këtë deklaratë Kryebashkiaku e bëri duke ju referuar banorëve të “Unazës së Madhe” të Tiranës, të cilët vazhdojnë protestën kundër shembjes së banesave të tyre që do ti hapte rrugë ndërtimit të projektit.

Kreu i bashkisë theksoi se banoret që protestojnë kanë nga 8 shtëpi dhe përsëri kërkojnë të shpronësohen nga taksat e shqiptarëve për prona, që i kanë zaptuar duke shkelur ligjin.

“A ka mundësi shoqëria jonë të mësoja nga ushtarakët, që njeriu pavarësisht vështirësive ka dinjitet, i thotë vetes qytetar, nuk i shkel shoqërisë dhe nuk i kërkon shoqërisë detyrime që shoqëria nuk ia ka. Sot shikoja që teksa po vazhdon progresi i qytetit, njerëz të cilët thonë “duam paret tona”. Paret e kujt? Në momentin që ke bërë 8 shtëpi pa leje, ne kemi detyrë të të strehojmë, se 7 të tjerat po i jep me qira. Sot nuk mundet shoqëria të të japë fitimin e munguar të diçkaje që e ke marrë me pa të drejtë, se po të ishte për këtë, atëherë do të ishin ushtarakët të parët. Ushtarakët që nuk zaptuan, që nuk i ranë njeriu më qafë, që i kanë shërbyer çdo qeverie të majtë e të djathtë në të gjitha kohërat, me orar e pa orar, dhe për sa kohë që ushtarakët nuk e bëjnë këtë, atëherë askush tjetër nuk ka gojë të kërkojë diçka nga shoqëria, që shoqëria nuk ia ka borxh”, – tha kryetari i bashkisë së Tiranës.

Ai evidentoi paradoksin që Shqipëria, ndonëse prej disa vitesh kontribuon për të vendosur paqen ne Kabul, ky i fundit ka sot gjithë infrastrukturën e duhur rrugore, ndryshe nga kryeqyteti ynë Tirana. Për këtë ai theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët të ndryshojnë mentalitetin dhe mënyrën e të menduarit të gjerave.

“Sot merremi gjithë ditën dhe diskutojmë në vitin 2018, a do të ketë Tirana unazë si e gjithë bota e civilizuar? Po si ka mundësi që sot ne çojmë 66 ushtarakë në Kabul, dhe Kabuli ka unazë. Kabuli sot ka unazë. Ka terroristë, ka talibanë, ka dhunë, ka autobomba, por ka unazë. Ne në Tiranë diskutojmë të çojmë paqeruajtës në Kabul, dhe s’kemi unazë. Dhe ndërkohë kërkojmë të zgjidhim dhe të çlirohemi nga Kabuli brenda vetes, nuk flas për Kabulin si vend, flas për Kabulin si mentalitet. Se çfarë ndodh në Kabul, një minorancë mundohet t’i ushtrohet gjithë shumicës tjetër, thonë do ta bëjmë siç e kishim ne. Dhe quheshin talibanë”, tha kryetari i bashkisë së Tiranës.

Duke hequr paralele mes asaj që ndodhi në Afganistan dhe asaj që po ndodh në Tiranë, Veliaj u shpreh se edhe këtu do të fitojë civilizimi, duke theksuar se askush nuk mund të bëhet pengesë për zhvillimin e qytetit.

“Civilizimi fitoi mbi talibanët, u tha jo, ju jeni një pakicë, po të doni votoni, sa vota të merrni, aq do shkoni në Parlament, por ju nuk keni të drejtë të vini autobomba dhe të hidhni në erë gjithë Kabulin, apo gjithë Afganistanin, sepse civilizimi, ku edhe ne bëjmë pjesë si paqeruajtës, nuk e lejon këtë. Atëherë do të duam të zgjidhim edhe Kabulin që ne kemi në kokë. Dikush që ka zaptuar, nuk e mban dot peng qytetin”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohe Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mbyllur sot në mbrëmje me një koncert të bandës frymore të mbajtur në Sheshin “Skënderbej”, serinë e një sërë aktivitetesh të ndryshme festive të organizuara me rastin e 106 vjetorit të tyre.

Pjesë e këtyre festimeve u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili duke marrë shkas edhe nga zhvillimet e fundit në qytet, theksoi se ushtarakët janë një shembull për të gjithë shoqërinë si njerëz që respektojnë ligjet dhe rregullat. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.