Prerja e pyjeve në parkun e Shebenikut?! Reagojnë Zonat e Mbrojtura 

78

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH-A. Fortuzi/- Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, institucioni përgjegjës për mbrojtjen e vlerave natyrore dhe biologjike të Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanic është vënë në dijeni nëpërmjet mediave për disa shqetësime lidhur me prerjet e paligjshme në këtë park.

Duke analizuar shkrimin e publikuar nga agjencia BIRN: “Prerja masive e pemëve në parkun më të madh kombëtar të Shqipërisë po shkatërron pyllin natyror të mbrojtur nga UNESCO, zbulon një investigim i BIRN”, vëmë re se ka informacione të gabuara dhe kontradiktore brenda shkrimit, si dhe citime të trilluara.

“Nga ryshfeti te lejet e falsifikuara, apo te flotat e kamionëve të pajisur me mjete gjurmimi satelitore, investigimi i BIRN zbulon përmasat në të cilat druvarët ilegalë shfrytëzojnë zonat e mbrojtura”, shkruan autori. Drejtori i AdZM, Elbasan Xhek Nezha tha se në pjesën e Rajcës, zemra e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanic, pasuri e UNESCO-s nuk ka fare rrugë automobilistike, dhe jo më të kalojë flota e kamionëve. Në zonën UNESCO nuk ka prerje as nga individë, e jo më nga subjekte private. Në shkrim citohet që “ka pirgje me dru të sapoprerë”, kjo nuk është e vërtetë, madje as fotot e publikuara nuk mund të vërtetojnë që pamjet janë marrë brenda Parkut apo jashtë tij.

“Ajo që pa BIRN nga bota e tregut të zi të drurëve të zjarrit filloi në mëngjes vere në një kafene pranë rrugës në fshatin Hotolisht, pak kilometra jashtë anës jugperëndimore të Shebenik-Jabllanicës”, – shkruan BIRN (shkrimi botohet në dimër). Fshati Hotolisht është buzë rrugës nacionale, dhe rruga të çon në kufi me Parkun Kombëtar, po brenda Parkut nuk ka rrugë për të shkuar me automjete, aq më tepër të rënda.

“Herë pas here burra me syze dielli shfaqeshin mes pemëve për t’u siguruar se kamioni do të ndiqte shtegun e duhur, i cili dukej se ishte hapur nga një buldozer që gjendej i parkuar aty pranë”. AKZM sqaron se brenda parkut nuk mund të hyjnë as kamionë dhe as buldozierë, të cilit gjithashtu i duhet hapësirë për të hyrë në shteg. Nëpër shtigje mund të ecet vetëm në këmbë.

“Një i ri trupmadh përshëndeti shoferin dhe i dha atij dy apo tre dokumente që shoferi tha se ishin lejet për të prerë dru në Dardhë, rreth 30 kilometra në jug të parkut”, shkruan BIRN. Jemi brenda periudhës 10-vjeçare të Moratoriumit të Pyjeve çdo prerje është e paligjshme dhe asnjë dokument nuk ka vlerë ligjore. Përveç kësaj, Drejtori i AdZM, Xhek Nezha deklaron se nuk ka asnjë dhënie leje për shfrytëzim të lëndës drusore, nga momenti që Shebenik-Jabllanica është shpallur Park Kombëtar në vitin 2008 dhe leja e fundit që është dhënë shënohet më 2005. Në Zonat e Mbrojtura nuk ka shfrytëzime dhe kontrata nga subjektet private dhe AKZM nuk jep dokumentacion (leje trasporti) siç citohet në shkrim.

Në Parkun Shebenik-Jabllanicë nuk ka vend që quhet Dardhë, kjo ekonomi pyjore ndodhet 20 km larg kufirit të parkut dhe është pjesë e bashkisë Librazhd. Drejtori i AdZM, Elbasan sqaron se “pikat e tranzitit ndodhen jashtë parkut dhe “autokolona”, mjetet që përmenden në shkrim, janë mjete që kyejnë transportin e lendës drusore nga pyjet e bashkisë Librazhd dhe Përrenjas, prej subjekteve që kanë kontrata 10-vjeçare.

Ndërkohë autori i shkrimit pak më poshtë bie në kontraditë me veten, pasi e pohon vetë: “Ai tha se furnizuesit përdornin dokumente false për të treguar se druri ishte prerë në Dardhë, një zonë jashtë parkut ku autoritetet mund të lëshojnë leje për plotësimin e nevojave të zonës për dru zjarri”. Deri në këto momente gjithë shkrimi flet për zonën Dardhë, brenda parkut, dhe tani fshati Dardhë del që është jashtë Parkut.

Sipas Drejtorit të AdZM Elbasan, Xhek Nezha “në zonën Rrajcë Skënderbe aktualisht nuk ka raste ku ngarkohen kamion me dru dhe lëndë drusore. Dy rastet e fundit një në korrik të këtij viti dhe një në shtator janë konstatuar nga Specialistët e Administratës dhe Policia e shtetit dhe rastet janë çuar në Prokurori”.

Ndërkohëshkrimi ka dhe pasaktësi shkencore pasi ky park vërtet është parku më i madh në vend, po nuk përbën 70 % të biodiversitetit të Shqipërisë, por 30 % të biodiversitetit në vend.

“Kur kamioni në fund mbërriti në destinacion në kreshtën e malit pranë fshatit të vogël Rrajca-Skënderbej, më shumë se 2 mijë metra mbi nivelin e detit, dhjetë banorë vendës filluan të ngarkonin trungje ahu gjigant në kamion. Burra të tjerë me sharrë në duar ishin të zënë duke prerë pemët. Stivat e druve gjendeshin gjithkund”. Mbi 2 mijë metra mbi nivelin e detit, nuk ka pyje, por kullota dhe nuk ka çfarë pritet e ngarkohet, aq më tepër “trungje ahu gjigand”, aty gjenden vetëm livadhe.

Kudo është cilësuar APA Librazhd, nuk ekziston asnjë institucion me një emër të tillë, është Administrata e Zonave të Mbrojtura, Elbasan, në administrimin e së cilës është ky park.

Parku Shebenik-Jabllanicë ka një plan menaxhimi, i cili është miratuar më datë 04.05.2018.

Gazetari Arlis Alikaj nuk ka bërë asnjë kërkesë për informacion (as me shkrim dhe as me gojë) pranë AdZM, Elbasan. Agjencia e lajmeve BIRN ka bërë kërkesë pranë AdZM Elbasan nëpërmjet gazetarit Agim Blloshmi.(Bashkangjitur po ju dergojmë përgjigjen dhe shkresës).

Udhëheqësi i Klubit Ekologjik të Elbasanit Ahmet Mehmeti i pyetur nga AdZM Elbasan tha: “Kam folur për prerje në pyje, por nuk i jam referuar Parkut, por zonave të tjera, të cilat kanë kontrata shfrytëzimi në pyje dhe nuk kam folur për demtime masive parkut.

Bajram Kullolli, shefi i menaxhimit të AdZM, Elbasan deklaron se “Nuk kam dhënë asnjë intervistë për gazetarin dhe se fjalët e tij janë, fraza të shkëputura gjatë takimeve me shoqata te ndyshme mjedisore, ku kam folur për ndërgjegjësimin e komuniteti në afërsi të Zonës së Mbrojtur për ruatjen dhe mirëmenaxhimin e tyre nga komuniteti, por nuk janë këto fjalët e cituara në shkrim”.

AKZM dhe AdZM Elbasan deklaron se jemi të hapur për të verifikuar në terren të gjitha ato vende, zona për të cilat thuhet se kanë dëmtime në Park. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.