Kosovë/ Veseli: Opozita të marrë përgjegjësitë për vendin

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë sërish thirrje për arritjen e konsensusit për dialogun, duke tërhequr vërejtjen se Serbia është duke përfituar nga mungesa e qasjes së duhur në këtë proces.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjes së medieve nëse do të jetë pro, që në krye të delegacionit të jetë Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

“Unë ka muaj që thërras për konsensus. Jo vetëm opozita, por edhe një pjesë, duhet e gjithë opozita t’i bashkëngjitet përgjegjësisë së vet për vendin. Për vetë faktin se Serbia është duke kërkuar favor. Serbia dhe Vuçiçi janë duke përfituar nga kjo qasje e Kosovës. Është hera e parë që Kosova nuk i thotë po dialogut. Çdo herë Serbia i ka thënë jo dialogut, çdo herë ka humb”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje të ketë debat Parlamentar për dialogun, që në këtë mënyrë të ketë një qëndrim të qartë.

Sipas tij, në momentin që do të arrihet konsensusi ndërmjet partive politike, do të votohet edhe delegacioni që do të merr pjesë në dialogun me Serbinë. /KosovaPress/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.