Hapja e negociatave, në interes të Shqipërisë dhe BE-së

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ – Hapja e negociatave për Shqipërinë me BE-në është në interesin e përbashkët të dy palëve.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Bruksel, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm NATO-s.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister.

Ministri Bushati falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, e demonstruar së fundmi dhe në miratimin e rezolutës pozitive për vendin tonë, e cila inkurajon rrugëtimin drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit gjatë vitit 2019.

Ministri Bushati e njohu McAllister me ecurinë e reformave prioritare të ndërmarra nga qeveria shqiptare me fokus Reformën në Drejtësi, duke u ndalur veçanërisht tek zbatimi i Vetingut.

McAllister evidentoi se “hapja e negociatave me Shqipërinë dhe progresi i tërë rajonit drejt BE-së i shërben jo vetëm rajonit tonë, por është në interes të vetë BE-së”.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.