FOTO- Parku i Viroit, pamje piktoreske që largojnë monotoninë

95

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/- Parku i Viroit, 3 km larg Gjirokastrës, është një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, që shërben si një ambient çlodhës për banorët.

Pjesë e guidave turistike të këtij qyteti ky Monument Natyre po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas e të huaj.

Në disa fotografi të publikuara nga bashkia e Gjirokastrës shfaqen peizazhet mbresëlënëse të këtij parku, e cila është një mundësi e mirë për qytetarët për të kaluar disa orë larg monotonisë së përditshme.

Mundësia e ecjes në këmbë apo me biçikletë anës së liqenit, por edhe shijimi i peizazhit shumëngjyrësh po tërheq gjithnjë e më tepër qytetarët, por edhe turistët gjatë sezonit sezonit turistik në këtë zonë, e cila është bërë pjesë e guidave turistike.

Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të eksplorojnë një burim, që mendohet se ka lidhje me 4 burime të tjera, Syri i Kaltër, Skotini, liqenin e Kallpaqit dhe Janinës.

Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.