Dhuna me bazë gjinore, Mesi takon gra dhe vajza të Elbasanit

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ – Zëvendëskryeministrja, Senida Mesi morri pjesë në disa  aktivitete në Elbasan në kuadër të fushatës 16-ditore kundër dhunës me bazë gjinore.

Mesi u takua me gra nga zonat rurale të Elbasanit dhe gra që i përkasin grupeve të margjinalizuara, takim në të cilin u diskutuan nevojat dhe sfidat e tyre. Mesi u njoh nga afër edhe me disa produkte lokale të cilat prodhohen nga vetë këto gra në zonat e tyre.

Ajo mori pjesë edhe në themelimin e Aleancës së Grave Këshilltare të Qarkut të Elbasanit. Në Shqipëri janë krijuar 21 aleanca të grave këshilltare të cilat mbështesin barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në vendimmarrje. Përfaqësuese të këtyre aleancave të pranishme në takim prezantuan arritjet e deritanishme dhe sfidat në përmbushjen e objektivave të tyre.

Zëvendëskryeministrja Mesi e vuri theksin në rëndësinë që ka fuqizimi ekonomik dhe intelektual i grave dhe vajzave për pavarësinë e tyre dhe luftën ndaj dhunës.

“Kur flasim për ndihmë të grave dhe vajzave, ajo duhet të shkojë në dy drejtime: Të bëhet më shumë për edukimin e tyre e për emancipimin e tyre, si dhe për t’u krijuar atyre më shumë mundësi punësimi apo biznesi. Kjo kërkon investim nga qeverisja vendore dhe qendrore, për të krijuar iniciativa me tarifa të reduktuara në kopshte apo çerdhe për gratë kryefamiljare, mundësi për kurse trajnimi, shkolla profesionale e pse jo edhe universitete. Për gratë në zonat rurale, kërkesat më të mëdha shkojnë në përmirësimin e infrastrukturës, ngritjen e pikave të grumbullimit ku gratë në atë ekonomi familjare ku punojnë të kenë mundësi të shesin produktet e tyre. Rritja ekonomike dhe pavarësia ekonomike ndihmon pozitivisht edhe tek lufta ndaj dhunës. Një grua ose një vajzë në momentin që punësohet ka më shumë shanse për pavarësi ekonomike. Një grua e shkolluar di ku të trokasë për të kërkuar fonde, grante, kredi të buta. Ka më tepër mundësi të zhvillojë një biznes dhe është më tepër në gjendje për t’i thënë jo edhe dhunës”, tha Mesi.

Mesi zhvilloi një seri aktivitetesh në Elbasan me grupe të grave dhe organizata që janë mbështetur ndër vite nga “UN Women” në Shqipëri.

Zëvendëskryeministrja Mesi përmendi gjithashtu edhe rëndësinë e përfaqësimit të lartë që gruaja ka në këshillat bashkiakë apo në qeveri prej vitit 2015.

Vizita përfundoi në qendrën e emergjencës për të mbijetuarat e dhunës në familje që drejtohet nga Forumi i Gruas Elbasan. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.