BM – May hap debatin parlamentar pesë ditor mbi marrëveshjen e Berixit

LONDËR, 4 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kryeministrja konservatore, Theresa May do të hapë sot debatin pesë ditor në Parlament në lidhje me marrëveshjen që ajo arriti për Britaninë e Madhe pas tërheqjes nga Bashkimi Europian, ndërkohë që përballet me një kundërshtim të fuqishëm nga ana e deputetëve.

Ajo ka premtuar para Parlamentit një votë kuptimplotë mbi marrëveshjen që liderët e BE-së i kanë dhënë Britanisë së Madhe për të dalë nga blloku pas 40 vitesh.

“Detyra jonë si Parlament në javët që vijojnë është që të shqyrtojmë këtë marrëveshje në detaj, të debatojmë me respekt, të dëgjojmë zgjedhësit tanë dhe të vendosim se çfarë është në interesin tonë kombëtar”, kishte deklaruar May para deputetëve.

Megjithatë, shumë deputetë konservatorë janë shprehur se do të votojnë kundër marrëveshjes në 11 dhjetor, ndërkohë që dhe Partia Unioniste Demokratike e Irlandës së Veriut, me 10 deputetë, që mbështet qeverinë e May-t, i është kundërvënë kësaj marrëveshje. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.