Kuvendi miraton buxhetin dhe paketën fiskale 2019

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/- Kuvendi miratoi të enjten, buxhetin e shtetit dhe ndryshimet në paketën fiskale për vitin 2019, përkatësisht me 76 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim dhe 75 vota pro, ndërsa opozita vijoi bojkotin dhe nuk ishte pjesë e seancën plenare.

Gjatë diskutimit të paketës fiskale, deputeti socialist Erjon Braçe parashtroi disa amendamente, prej të cilave Kuvendi miratoi dy nga këto propozime.

Kuvendi nuk miratoi propozimin e Braçes për rritjen e fashës së tatimit për pagat deri në 40 mijë lekë, amendamentet për heqjen e TVSH-së për të gjithë librashitësit dhe ndërtesat në pronësi të OJF-ve, propozimin për rritjen nga 15-30% të taksës për bixhozin të hotelet me 5 Yje, propozimin për rentën minerare.

Ndërsa Kuvendi miratoi propozimet për akcizën dhe tarifat doganore. Referuar propozimit të tarifës doganore, Braçe tha se binte ndesh me MSA-në që të mos ishte më shumë se 5%.

Pas diskutimeve maxhoranca miratoi ndryshimet në projektligjet që shoqërojnë paketën fiskale 2019 të cilat janë: Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Sipas rendit të ditës Kuvendi miratoi me 75 vota pro, edhe projektligjet  “Për një ndryshim në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar; “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar”;  “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit, “Për substancat që hollojnë shtresën e ozonit””, si dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – Republika e Shqipërisë, 2014-2020, alokimet e vitit 2017”. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.