Krasniqi: “Fake news”, koha për një përgjigje globale

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ “Unë me të vërtetë besoj se fenomeni i lajmeve të rreme, si një fenomen global, ka nevojë për një përgjigje globale”, theksoi drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi në hapje të konferencës ndërkombëtare të organizuar nga ATSH në Tiranë, me temë “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’”.  Ajo iu drejtua një audience të përbërë nga delegacionet e disa prej agjencive të rëndësishme nga rajoni dhe Europa, por edhe nga figura të njohura të jetës publike dhe medias në Shqipëri, duke shtruar nevojën e krijimit të kanaleve të reja të bashkëpunimit, në përpjekje për të ndërtuar më tej standardin e artë të gjeneratës së tretë të medias.

“Unë me të vërtetë besoj se bashkëpunimi është e vetmja mënyrë me anë të së cilës ne mund ta kapërcejmë këtë kërcënim nga ‘fake news’. Armiqtë tanë janë të zgjuar, nuk na vënë në shënjestër veç e veç dhe shfrytëzojnë në mënyrë të përsosur lajme të rreme për arsye politike apo ekonomike, apo edhe më keq, vetëm për kënaqësinë e minimit të shoqërive tona dhe përhapjen e frikës”, theksoi Krasniqi.

Kjo është arsyeja, theksoi ajo, “pse shpresoj që takimi ynë në Tiranë do të shërbejë për të forcuar bashkëpunimin mes nesh dhe shpresoj të bëhet një trampolinë për një axhendë të unifikuar kundër përhapjes së lajmit të rremë”.

Krasniqi iu drejtua të ftuarve të huaj në konferencën ndërkombëtare duke theksuar se ky takim ndodh në hotel “Tirana”, një ndërtesë e stilit sovjetik që në vitin 1979, u konsiderua si ndërtesa më e lartë në Shqipëri. “Në atë kohë, kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe qeverisej me grusht të hekurt, ky hotel u projektua për të simbolizuar, në mënyrë ironike, një vendtakimi mes qiellit dhe arritjeve të mëdha të kohës.

Natyrisht, hotel ‘’Tirana’’ u shndërrua në një nga simbolet më të mëdha të dështimit të atij sistemi. Unë e theksova këtë histori për të zbuluar një fakt shumë domethënës. 30 vite më parë, pikërisht kjo agjenci që unë përfaqësoj sot, mblodhi disa nga agjencitë e lajmeve të Bllokut Lindor për të debatuar mënyrat më efektive të censurimit të së vërtetës”, vuri në dukje Krasniqi.

Sot, tha ajo, “ne jemi këtu për të debatuar rrugët më efektive për ta thënë këtë të vërtetë. Kjo është arsyeja, që unë jam veçanërisht e nderuar, dhe më duhet ta pranoj, gjithashtu e emocionuar, që sot arrita të organizoj këtë konferencë të parë ndërkombëtare në Tiranë kushtuar fenomenit të lajmeve të rreme”.

“2018 ka qenë një vit i frytshëm për ATSH-në. Gjatë këtij viti, ne kemi trefishuar numrin e lexuesve tanë dhe në sajë të teknologjive të reja të zbatuara, po bëhemi gjithnjë e më shumë interaktivë. Gjithashtu, kemi nënshkruar disa marrëveshje shumë të rëndësishme dhe kemi marrë pjesë në disa ngjarje të shënuara ndërkombëtare.

Megjithatë, pavarësisht nga disa përmirësime të dukshme, ATSH-ja, si çdo agjenci tjetër e lajmeve anembanë globit, kërcënohet nga një mjegullnajë në rritje e “lajmit të rremë”, që megjithë filtrat dhe kontrollin tonë, shpesh është në gjendje të arrijë edhe lexuesit tanë.

Lajmi i kohëve të fundit për vdekjen e regjizorit të famshëm grek Kostas Gavras, i cili u raportua edhe nga agjenci të njohura si Associated Press apo New York Times tregon se sot, askush nuk është i imunizuar ndaj lajmit të rremë”, theksoi ajo.

Krasniqi shtoi se arma më efektive për të luftuar lajmet e rreme është arsimi, i cili nga ana tjetër ndërton mendimin kritik, por masa të tilla kërkojnë kohë.

Megjithatë, vlerësoi Krasniqi, fenomeni ka nevojë për përgjigje globale.

“Kjo është arsyeja pse shpresoj se takimi ynë në Tiranë do të shërbejë për të forcuar bashkëpunimin mes nesh dhe shpresoj të bëhet një trampolinë për një axhendë të unifikuar kundër përhapjes së lajmit të rremë”, tha drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi.

Në fund, ajo tha se përveç qëllimit real të këtij takimi, kjo do të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për delegacionet e huaja për të zbuluar disa nga thesaret e fshehura të Shqipërisë.

“Gjatë këtyre ditëve shpresoj të ndjeni sadopak frymën shqiptare dhe miqësinë tonë. “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe Mikut”, thonin paraardhësit tanë”, përfundoi Krasniqi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.