Deklarata e Hahn për taksën 100% ndaj Serbisë, reagon Kryeministri Rama

TIRANË, 3 dhjetor/ ATSH- A. Fortuzi/ – Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me deklaratën e Komisionerit për Zgjerim, Johanes Hahn për taksën 100%, që Kosova i ka vendosur mallrave nga Serbia, të cilën e konsideron si një vendim obstruktiv.

Kryeministri i Shqipërisë thekson se parimisht është dakord me këtë qasje të Komisionerit, teksa ngre pyetjen se, “çfarë ka fituar deri më tash Kosova me qasjen e saj konstruktive”?

“Komisioneri Hahn ka të drejtë! Taksa 100% mbi produktet e Serbisë & Bosnje-Hercegovinës është obstruktive, po çfarë ka fituar deri më tash Kosova me qasjen e saj konstruktive? Hiç % të asaj që ka merituar! E pra, ajo nuk është një taksë që duhet gjykuar, po një klithëm që duhet dëgjuar…”, shkruan Rama.

Reagimi i Kryeministrit Rama, vjen pas deklaratës së bërë sot nga ana e Komisionerit Hahn, gjatë takimit me udhëheqësit e institucioneve kosovare, i cili u shpreh se Bashkimi Europian ishte befasuar dhe zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave doganore. Ai tha se heqja e barrierave tregtare është një nga qëllimet e BE-së. Hahn lavdëroi angazhimin e Kosovës në këtë drejtim ndër vite, por jo edhe vendosjen e taksës doganore. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.