Buxheti 2019 garanton qëndrueshmëri ekonomike dhe zhvillim

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Buxheti 2019 dhe Paketa Fiskale do të na japim qëndrueshmëri ekonomike për vitin e ardhshëm, si dhe do të mbështesë zhvillimin infrastrukturor të vendit.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, gjatë diskutimit të ligjeve të Paketës Fiskale.

Buxheti 2019 dhe Paketa Fiskale, sipas Ramës, ka impakt dhe mbështet të gjitha kategoritë nga rritja e pagave deri te zerimi i TVSH-së për inputet bujqësore, si dhe krijon mundësi të reja për buxhetin e vitit 2020.

Kryeministri theksoi se zerimin e inputeve bujqësore nuk e ka asnjë vend i rajonit. Në këtë mënyrë, theksoi ai, buxheti i shtetit shkon tek çdo njeri që punon tokën. “Ato para nuk merren më në buxhet, por ju lihen atyre që punojnë tokën”, tha Rama, duke shtuar se “për 28 vjet me radhë kostoja e inputeve ka qenë problem kryesor”.

“Atyre që thonë se ne jemi ata që kemi rritur taksat, u them shumë thjesht se e kundërta është e vërtetë. Ne kemi ulur taksat, dhe kemi rritur bazën e tatueshme, që do të thotë se sot ka shumë më tepër shqiptarë që i paguajnë taksat dhe kontributet dhe shumë më pak që punojnë në të zezë dhe që janë pa perspektivën e pensionit. Kjo sepse ne kemi rritur formalizimin”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.