Rama: ATSH, institucion që realisht po përshtatet me kohën

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama falënderoi Agjencinë Telegrafike Shqiptare për organizimin e konferencës ndërkombëtare “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’”, që nis nesër në Tiranë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga agjenci lajmesh të rajonit dhe të Europës. Në fjalën e tij gjatë pritjes së mirëseardhjes, Kryeministri Rama falënderoi drejtoreshën e ATSH-së, Armela Krasniqi, e cila siç tha ai, ishte shtysa kryesore për këtë konferencë.

“ATSH është një institucion që realisht po e rimerr veten hap pas hapi, pas vitesh letargjie, falë lidershipit të ri të drejtores, e cila ishte shtysa kryesore për këtë konferencë dhe që më solli mua këtu para jush”, – theksoi Rama.

“Po sjell në fund një fjalë të Shekspirit, që thotë se avantazhi i gënjeshtrës është se mund të ketë 7 fytyra, ndërkohë që e vërteta ka vetëm një. Faik Konica ynë, thoshte se avantazhi i vazhdueshëm i së vërtetës është se nuk ka nevojë për gjarpërime dhe yndyrë në shkrim. Mes këtyre dy përcaktimeve lëviz jeta e përditshme e të gjithë atyre që merren me informacionin, me shpresën se do të kemi ditë më të mira në raport me 7 fytyrat e gënjeshtrës dhe që e vërteta do të prevalojë”, – përfundoi Kryeministri Edi Rama fjalën e tij, në pritjen e organizuar për delegacionet e agjencive të lajmeve nga rajoni dhe Europa, që do të marrin pjesë nesër në konferencën ndërkombëtare të organizuar në Tiranë nga ATSH, e të titulluar “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.