ARGJENTINË – Armëpushim tregtar mes Pekinit dhe Uashingtonit

BUENOS AIRES, 2 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij Xi Jinping shpallën dje një armëpushim në konfliktin e tyre tregtar, duke pezulluar aplikimin e taksave të reja doganore amerikane mbi importet kineze, në përfundim të një takimi të zhvilluar në Buenos Aires.

“Dy presidentët gjetën një marrëveshje për t’i dhënë fund aplikimit të të drejtave të reja doganore”, tha ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi, gjatë një konference për shtyp, pas një darke pune që zgjati më shumë se dy orë mes krerëve dhe këshilltarëve të tyre.

Zëvendësministri i tregtisë, Wang Shouwen theksoi se Uashingtoni hoqi dorë që të rrisë sikurse kishte parashikuar nga 10% në 25% taksat doganore mbi 200 miliardë dollarë importe kineze, gjysma e totalit të importuar nga kina, duke filluar nga data 1 janar.

Por, nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë bëri me dije që ky vendim vetëm është pezulluar, më saktësisht për një afat kohor prej 90 ditësh. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.