Programi social i ndihmës ekonomike, mbështetje për familjet që kanë vërtet nevojë

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/538717086601655/

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/- Programi social i ndihmës ekonomike siguron mbështetje për familjet që kanë vërtet nevojë, me paketën e plotë të ndihmës dhe subvencioneve shtesë.

“Me buxhetin 2019 garantojmë më shumë mbështetje për familjet në nevojë, jo vetëm me programin e ndihmës ekonomike, por duke e alternuar me programin e nxitjes së punësimit, si zgjidhje e qëndrueshme për rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, shprehet ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndihma ekonomike është rritur 2-3 fish duke akorduar subvencione shtesë për çdo fëmijë që ndjek shkollën dhe çdo fëmijë që vaksinohet.

Për të plotësuar formularin e aplikimit qytetarët duhet të paraqiten pranë njësive të tyre administrative, në datat 1-10 të çdo muaji duke patur me vete kartën e identitetit.

Por, qytetarët duhet të bëjnë kujdes kur aplikojnë, sepse deklarimi i rremë ju përjashton për një periudhë 6 mujore nga skema.

Paketa e përfitimeve sociale i vjen në ndihmë qytetarit për të marrë pagesë falas për energjinë elektrike, librat falas, pagesa parashkollore, për arsimin e detyrueshëm, për çdo vaksinë, bursë shkollimi, subvencion strehimi, mjekësia falas, rimbursim ilaçesh, punësim dhe formim profesional .

Ndihma ekonomike siguron mbrojtje sociale për familje në nevojë kur janë në vështirësi, por zgjidhja është rinitegrimi social nëpërmjet aftësimit profesional dhe punësimit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.