Shqiptarët e Finlandës ruajnë traditat patriotike

HELSINKI, 29 Nëntor /ATSH/ – Me nismën e e Konsulles së Përgjithshme të Nderit të Shqipërisë në Finlandë, Dr. Liliana Verdha, këto ditë shqiptarë me banim në qytetet Helsinki, Espoo dhe Vantaa, u mblodhën në një prej restoranteve më të vjetra klasike të kryeqytetit finlandez për një drekë festive në përkujtim të 28-29 Nëntorit — 106-vjetorit të Pavarësisë dhe 74-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

Pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, Konsullja Lili Verdha vlerësoi ruajtjen e gjuhës shqipe dhe traditave patriotike nga shqiptarët me banim në Finlandë, si dhe përpjekjet e diasporës shqiptare të Finlandës në promovimin e vazhdueshëm të Shqipërisë si destinacion i rrallë turistik dhe terren i favorshëm investimesh finlandeze. Të pranishmit, kryesisht bisnesmenë, studentë dhe familjarë të tyre finlandezë, ndanë kujtime nostalgjike nga jeta në Shqipëri, si dhe nga përvojat pozitive në vendbanimin e ri këtu në Finlandë. Takimi mjaft i ngrohtë e vëllazëror vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.