Kosovë/ Ndalimi i telefonave në shkolla, Bytyqi: Do të rrisë cilësinë

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ – Vendimi për ndalimin e përdorimit të telefonave nga nxënësit dhe mësimdhënësit do të rrisë cilësinë e procesit mësimor.

Kështu tha ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi gjatë një konference për media, ku theksoi se me këto veprime po i ngjisin në një nivel tjetër shkollat në Kosovë.

Ministri Bytyqi këtë vendim e ka marrë duke pasur për bazë ankesat e mëdha që kanë pasur nga drejtorët e shkollave, prindërit, por dhe vet nxënësit.

Ai tha se me këtë vendim do të rrisë vetëdijen e nxënësve se telefoni gjatë procesit mësimor është vetëm pengesë. Ndërsa, theksoi se telefoni aktualisht nuk përdoret për nxjerrjen e dijës në shkollat tona.

“Ne besojmë dhe kemi obligim ta zbatojmë. Ne e kemi analizuar dhe del që nuk kemi vetëm pengesë, por aktualisht nuk përdoren fare për nxjerrjen e dijës. Nëse kanë nevojë për hulumtime ato duhet të bëhen jashtë orarit mësimor. Shkollat mund të digjitalizohen, mirëpo janë forma të tjera që munden të ndihmojnë në procesin e digjitalizimit. Mekanizmi më i mirë është drejtori i shkollave, nëse ai nuk e menaxhon si duhet, nuk e kryen obligimin, do të jetë përgjegjës në bazë të ligjeve në fuqi. Do të ketë dhe mekanizëm mbikëqyrës, do të jetë dhe inspektorati i arsimit që do të ketë një përgjegjësi në zbatimin e këtij vendimi por ne nuk jemi ata që mendojmë që vetëm me masa ndëshkuese do të realizohet diçka e mirë”, ka thënë ministri Bytyqi

Bytyqi shtoi se në muajin e ardhshëm do të sqarohen gjitha gjërat sa i përket këtij vendimi, pasi deri atëherë pritet të dal udhëzuesi dhe të implementohet gjithë vendimi.

“Gjatë muajit dhjetor do të qartësohen gjitha gjërat, do të kemi gjitha detajet, do të informohemi për së afërmi me gjithë aktorët që do të jenë pjesë e këtij vendimi. Një rolë të rëndësishëm do të kenë dhe vet prindërit, bashkë me drejtorët e shkollave, me këtë vendim dhe këto veprime, ne po e rrisim një nivel më të lartë në shkolla”, përfundoi ministri.

Sipas ministrit, janë edhe disa vende tjera, përfshirë edhe Shqipërinë që kanë ndaluar përdorimin e telefonave në objekte shkollore. KosovaPress/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.