Bushati në Plavë e Guci: Vëmendje të vazhdueshme nga shteti amë

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Vëmendje të vazhdueshme nga shteti amë, ka premtuar ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë vizitës që zhvilloi në zyrat e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Plavë dhe Guci.

“I sigurova për vëmendjen e vazhdueshme të shtetit amë, si nxitës dhe garantues kryesor i të drejtave të tyre në Malin e Zi. Ne do të vijojmë mbështetjen e pakursyer të faktorit politik shqiptar”, theksoi ministri Bushati i cili po zhvillon një vizitë në komunat Plavë dhe Guci, në Malin e Zi.

Bushati theksoi se bashkë me kryetarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj dhe Kryetarin e Komunës së Plavës Mirsad Bajraktareviç, ka vendosur piketat e bashkëpunimit ndërkufitar.

“Vendosëm gjithashtu piketat e bashkëpunimit ndërkufitar, përmes fondeve të BE-së në infastrukturë, turizëm e mjedis. Bashkëpunim nga i cili do të përfitojnë edhe më shumë trevat e banuara nga shqiptarët”, nënvizoi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Ministri Bushati gjatë vizitës së tij uroi nga afër festat e nëntorit shqiptarëve në Komunat Plavë dhe Guci në Malin e Zi.

Gjatë takimit me Kryetarin e Komunës së Plavës, Mirsad Bajraktarevic, Ministri Bushati u ndal tek situata shqiptarëve në këtë Komunë dhe tek përfaqësimi i tyre në institucionet drejtuese dhe arsimore të vendit. Ndër çështjet e tjera u diskutua edhe mbi bashkëpunimin ndërkufitar, bashkëpunim ky i një rëndësie primare për zhvillimin e komuniteteve në të dy anët e kufirit. Në funksion të rritjes së këtij bashkëpunimi shumë të rëndësishëm Ministri Bushati shoqërohej në këtë vizitë edhe nga Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj. Me dy kryetarët e Bashkive u vendosën piketat e bashkëpunimit ndërkufitar përmes fondeve të BE-së në infrastrukturë, turizëm dhe mjedis.

Gjatë qëndrimit në Plavë dhe Guci, Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu edhe një takim me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, me të cilët u evidentuan disa nga problemet me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi, duke nisur që nga ligji zgjedhor, problemet me arsimimin, punësimin e tyre, deri tek problemet ekonomike, pronat dhe infrastruktura.

Kreu i diplomacisë shqiptare i siguroi ata për mbështetjen e Tiranës zyrtare si nxitëse dhe garantuese kryesore e të drejtave të tyre në Malin e Zi. Shqipëria mbetet e angazhuar të nxisë në nivel ndërshtetëror marrëdhëniet dhe lidhjet ekonomike, infrastrukturore me Malin e Zi, me përfitim të drejtpërdrejtë për rajonet e banuara nga shqiptarët.

Për Plavën dhe Gucinë, por edhe për te gjithë komunitetin shqiptar në Mal të Zi, nevojitet një koordinim më i mirë Shqipëri-Kosovë në këtë zonë për shkak të marrëdhënieve të shumëllojshme në të dy anët e kufirit.

Me rastin e inaugurimit të zyrës së re të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ministri Bushati dhuroi në një pikturë të Heroit Kombëtar Skënderbeut.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.