Fotot/ Festa e Flamurit, aktivitete dhe promovim i Shqipërisë nëpër botë

TIRANË, 29 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Festat e Nëntorit po festohen me aktivitete të shumta edhe në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë jashtë vendit.

Ambasadat dhe misionet diplomatike të Shqipërisë kudo nëpër botë, kanë organizuar aktivitete të ndryshme në përkujtim të Ditës së Flamurit.

Ambasada e Shqipërisë në Kopenhagen, Danimarkë organizoi një pritje me rastin e 106-vjetorit të pavarësisë së vendit, ku morën pjesë autoritete shtetërore, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe shoqërisë civile.

Po ashtu, në një pritje të organizuar nga ambasada shqiptare në Bukuresht, Rumani, miq të Shqipërisë, rumunë dhe të huaj, si dhe bashkatdhetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Rumanisë festuan 106-vjetorin e Pavarësisë.

Me rastin e Festave Kombëtare dhe 106-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, Ambasada shqiptare në Athinë priti miq e të ftuar, të cilët ndoqën nismën Colours of Albania dhe u njohën me materiale turistike. Aktiviteti synoi po ashtu promovimin e prodhimeve tradicionale shqiptare nga komuniteti shqiptar në Greqi.

Edhe misioni i Shqipërisë në Strasburg organizoi një pritje me rastin e 106 -vjetorit të Pavarësisë.

Ambasada shqiptare në Kanada festoi po ashtu Ditën e Pavarësisë, në një pritje të organizuar në Ottawa me përfaqësues të qeverisë kanadeze, të trupit diplomatik si dhe të komunitetit shqiptar në Kanada.

Ambasada shqiptare në Itali zgjodhi ta festonte Ditën e Flamurit në Farnesina, me pjesëmarrjen e miqve dhe diplomatëve. Në aktivitetin e organizuar përshëndeti po ashtu edhe zv.ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Emanuela Del Re. Në kuadër të kësaj pritje u përurua edhe ekspozita “Albania Fantastica” e mjeshtrit Ibrahim Kodra me rastin e 100-vjetorit të lindjes.

Edhe ambasada shqiptare në Holandë, organizoi një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe grupi polifonik nga Himara.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.