Ballina Lajme nga Vendi

Festa e FA në pedonale, banda e ushtrisë me uniforma të reja

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/- Ndryshe nga çdo herë, festa e Çlirimit, për Forcat e Armatosura (FA) dhe qytetarët ka ardhur në një formë krejt ndryshe.
Pedonalja e kryeqytetit për disa orë, shërbeu si vendtakimi mes efektivëve të FA dhe qytetarëve, të cilët populluan të gjitha stendat, ku ishin vendosur pajime dhe efektivë nga të gjitha strukturat e FA.
Surpriza e bukur e “Ditës së hapur me FA” ishin uniformat e reja të Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, e cila performojë gjatë gjithë paradites, duke sjellë një atmosferë festive për fëmijët dhe të rriturit. Uniformat e reja të OFFA me elementë tradicional shqiptar, me ngjyrat kuqezi, u prezantuan për herë të parë gjatë ditës së sotme dhe pjesëtarët e bandës u përshëndetën në veçanti nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Ministrja Xhaçka, gjatë fjalës së saj në prani të qindra qytetarëve tha se, Shqipëria e ka historinë e saj të mbushur me luftëra dhe sakrifica, por 74 vite pas çlirimit, po përjetohet një situatë krejtësisht e ndryshme përsa i përket FA-ve.
“Ky moment na gjen të rreshtuar krah forcave aleate të NATO-s për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe shtetit ligjor, jo vetëm brenda vendit tonë por dhe hapësirës së NATO-s.
Sot në këtë aktivitet kemi ekspozuar një pjesë shumë të vogël nga jeta dhe veprimtaria e këtyre djemve dhe vajzave. Por ajo që ata bëjnë në realitet, ajo çfarë ata i ofrojnë vendit tonë, është e pamundur të përcillet në kaq pak hapësirë.”, tha ministrja, Xhaçka
Ajo theksoi se këta të rinj me uniformë janë përherë midis njerëzve, pranë komunitetit, atje ku jeta e njerëzve është në rrezik dhe ka nevojë për ndërhyrjen e tyre.
“Të jesh pjesëtar i këtyre Forcave, do të thotë të jesh në frontin kryesor dhe më të vështirë në rastin e Emergjencave Civile, të rrezikosh jetën për të shpëtuar familje dhe fëmijë të rrezikuar nga katastrofat natyrore, të ndihmosh familje të shpërngulura nga këto katastrofa. Do të thotë të vesh jetën në rrezik për të pastruar hot-spotet nga eksplozivat e rrezikshëm, të shkatërrosh masive shkëmbore, të ndërtojnë rrugë dhe ura në kushte të vështira, për ta bërë vendin tonë një vend më të sigurt dhe më të mirë për të jetuar dhe punuar me një cilësi jete të përmirësuar”, përfundoi ministrja.
Të gjithë kureshtarët në stendat e ngritura, mundën të shohin nga afër shumë nga armët dhe mjetet e FA-ve të ekspozuara dhe një ndër pjesët me atraktive të kësaj feste ishte edhe maskimi i disa fëmijëve me bojëra taktike.

Aktiviteti u ndoq edhe nga ambasadorët dhe atashetë ushtarakë të akredituar në Shqipëri, por një interes të lartë shfaqën edhe të huajt që ndodheshin si vizitorë në Shqipëri./e.xh/e.caushi/

e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.