Punimet te “Unaza e Madhe”, pemët e shkulura mbillen përgjatë Lanës

TIRANË, 28 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Puna për zhvendosjen e pemëve ka vazhduar edhe sot në Unazën e Madhe, ku punonjës të bashkisë kanë vijuar me heqjen e pemëve dhe zhvendosjen e tyre në bregun e Lanës.

Bashkia e Tiranës është kujdesur që të gjitha pemët dekorative që po hiqen për t’i hapur rrugën nisjes së punimeve për zgjerimin e Unazës së Madhe të zhvendosen dhe mbillen përgjatë gjithë bregut të lumit të Tiranës.

Të gjitha pemët dhe bimësia tjetër që gjendet në Unazën e Madhe përgjatë segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana nuk do të shkojnë dëm.

Siç shihet edhe nga fotot, punonjësit e Drejtorisë së Punëtorëve të Qytetit nr. 1, i kanë hequr pemët me gjithë pjesën e rrënjëve dhe i kanë transportuar ato me kujdes për t’i mbjellë në zonën e Bregut të Lumit.

Prej disa ditësh punonjësit e ndërmarrjeve bashkiake janë në terren për t’u kujdesur që pemët dhe bimët dekorative të mbillen sërish.

Paralelisht ka vijuar puna nga DPN2 për heqjen e shtyllave të ndriçimit që ndodhen përgjatë segmentit ku kalon projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe, segmenti Shkolla Teknologjike deri te Dogana. Të gjitha këto masa i hapin rrugë krijimit të kantierit të ri të punës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.