Protesta e “Unazës së Re”, Avokati i Popullit: Çdo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin

TIRANË, 28 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Avokati i Popullit ka nisur një hetim për të zbuluar nëse nga ana e autoriteteve shtetërore ka pasur tejkalim të kompetencave gjatë përplasjeve të dhunshme me qytetarët përpara godinës së Kuvendit.

Avokati i Popullit sqaron se ky hetim, iu shtua hetimit të nisur prej të paktën dy javësh më herët, me anë të të cilit institucioni i Avokatit të Popullit kërkon përgjigje nga institucionet e ARRSH-së, IKMT-së, ALUIZN-it e bashkisë së Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura për hartimin e projektit të zgjerimit të Unazës së Re dhe zbatimit të tij.

Për t’u ndalur tek protestat e dhunshme që pasuan përplasjet mes policisë dhe banorëve, Avokati i Popullit ka ngritur me shpejtësi një ekip të përbërë nga tre komisionerë i cili, në një distancë prej pak orësh nga dalja e informacioneve për shoqërimin e një numri protestuesish, është dërguar për inspektim në komisariatet ku mbaheshin ata.

Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se është i vendosur për ta hetuar me paanësi, profesionalizëm dhe korrektësi të gjithë dinamikën e ngjarjeve të lidhura me çështjen e projektit të Unazës së Re, përfshi këtu edhe sjelljen e autoriteteve shtetërore ndaj qytetarëve që e kundërshtojnë duke protestuar këtë projekt.

“Në gjykimin e Avokatit të Popullit, çdo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin dhe frymën e tij. Sidomos në lidhje me të drejtën për tubime, ligji u kërkon qytetarëve që të kryejnë njoftimin paraprak në organet e Policisë në mënyrë që të garantohet kjo e drejtë e tyre.

Por ndërkohë, asnjë teprim apo abuzim i zyrtarëve që janë të ngarkuar për të zbatuar ligjin nuk do të mbetet pa u hetuar në mënyrë të imtësishme dhe pa u referuar. Të drejtat civile të qytetarëve tanë janë të shenjta dhe garantimi i tyre përkarshi çdo justifikimi me karakter zhvillimor apo të çdo lloji tjetër, është i panegociueshëm”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.