Librazhd/ Kapet në kohë rekord autori i plagosjes së një 23 vjeçari

TIRANË, 28 nëntor/ ATSH-A. Fortuzi/- Falë reagimit të shpejtë e profesional të Policisë, kapet në kohë reale autori i plagosjes me armë të 23 vjeçarit. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit Pistoletë tip “Zantava” me 3 fishekë, si dhe automjeti i vjedhur.

Më datë 28.11.2018, rreth orës 01:30,  në  një lokal  në fshatin Kakavec,  Prrenjas,  shtetasi Afrim Radiçi, 29 vjeç, pas një konflikti të çastit  për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Xh.P., 23 vjeç, banues në Kakavec,  i cili është transportuar në Spitalin e Librazhdit dhe është  jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasi Afrim Radiçi  në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes   ka dalë në rrugë dhe nën kërcënimin e armës ka  ndaluar  mjetin tip “Golf” në pronësi të shtetasit A.B., të cilin e ka marrë dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Falë reagimit  të shpejtë  të Policisë Librazhd  dhe mirëorganizimit  të punës u bë  e mundur që rreth 60 kilometra  nga vendi i ngjarjes , në fshatin Dorez , të kapej shtetasi Afrim Radiçi,  autori i dyshuar i dy ngjarjeve, plagosjes me armë të 22 vjeçarit si dhe të rrëmbimit të automjetit nën kërcënimin e armës.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit si dhe automjeti tip “Golf”. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të kësaj ngjarje. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.